BULLGARI – Radev: Zgjidhje evropiane për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë

by admin
Spread the love

SOFJE, 24 shkurt /ATSH-DPA/- Presidenti bullgar, Rumen Radev ka bërë thirrje për një zgjidhje evropiane të luftës në Ukrainë dy vjet pas fillimit të pushtimit rus.

“Më në fund le të kërkojmë një zgjidhje autonome evropiane”, tha Radev, i cili konsiderohet si pro-rus.

Ai bëri thirrje për dialog dhe mekanizma për t’i dhënë fund të menjëhershëm veprimeve ushtarake dhe për të filluar negociatat.

“Rruga që kemi marrë për të kërkuar një zgjidhje të bazuar në fitoren në fushën e betejës nuk po jep rezultate”, tha ai.

“Pas dy vjetësh, lufta në Ukrainë është kthyer në një kërcënim për sigurinë globale’, paralajmëroi Radev.

Kreu i qeverisë pro-perëndimore të Bullgarisë, Nikolai Denkov, lëshoi një deklaratë të veçantë për dyvjetorin e luftës në Ukrainë, duke siguruar Kievin për mbështetjen e vazhdueshme të vendit të NATO-s dhe BE-së.

“Dy vjet më parë, Kremlini na kujtoi se ne duhet të luftojmë për paqen dhe të mbrojmë vlerat tona”,  tha kryeministri bullgar.

“Bullgaria po i mbron këto vlera duke vazhduar të mbështesë Ukrainën, ndërsa Rusia po lufton kundër të drejtës për një jetë të lirë, të lumtur dhe të plotë, për të gjithë në Evropë”, tha Denkov.

Në shenjë solidariteti me Ukrainën, ndërtesat e qeverisë dhe parlamentit në Sofje do të ndriçohen me ngjyrat e flamurit ukrainas sot në mbrëmje.

Aktivistët bullgarë dhe ukrainas bënë thirrje për një marshim në qendrën e kryeqytetit për të mbështetur luftën e Ukrainës për jetë, liri dhe demokraci. //a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like