BRUKSEL: Zelensky i kërkon BE-së të mbështesë anëtarësimin e Ukrainës

by admin
Spread the love

BRUKSEL, 1 mars/ATSH-DPA/- Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i kërkoi sot Parlamentit Evropian të mbështesë anëtarësimin e vendit të tij në Bashkimin Evropian.

“Ne kemi vërtetuar pikat tona të forta. Ne kemi vërtetuar se, të paktën, ne jemi saktësisht të njëjtë me ju”, i tha Zelensky ligjvënësve të BE-së, shumë prej të cilëve mbanin tabela ku shkruhej “Ne bashkohemi me Ukrainën”.

“Na vërtetoni se jeni me ne, se jeni vërtet evropianë”, tha Zelensky përmes një lidhjeje direkte online në seancën speciale, të mbledhur për të diskutuar pushtimin rus të vendit të tij.

Më pas, ligjvënësit miratuan një mocion që u kërkon institucioneve të BE-së të përshpejtojnë statusin e kandidatit të Ukrainës, si dhe të dënojnë sulmin e Rusisë, me 637 vota pro, 13 kundër dhe 26 abstenime.

Nxitja e Kievit për anëtarësim në BE vjen në një kohë kur luftimet e ashpra po vazhdojnë në ditën e gjashtë të pushtimit rus të Ukrainës, mes shqetësimeve lidhur me rritjen e numrit të viktimave civile.//a.i/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like