BRUKSEL – Rreth 1.5 milionë euro sekuestrohen në hetimin për korrupsion në PE

by admin
Spread the love

BRUKSEL,14 dhjetor /ATSH-DPA/- Policia belge njoftoi sot se ka sekuestruar rreth 1.5 milionë euro (1.6 milionë dollarë) gjatë bastisjeve që lidhen me akuzat për korrupsion kundër disa ligjvënësve në Parlamentin Evropian.

Deklarata u publikua në Twitter së bashku me imazhet që tregojnë një valixhe të vogël, disa çanta dhe qese të mbushura me kartëmonedha në euro.

Katër persona janë arrestuar që nga e premtja, të akuzuar se kanë ndikuar në vendimet e Parlamentit Evropian në favor të organizatorit të Kupës së Botës, Katarit, në këmbim të parave dhe dhuratave.

Ish-zëvendëspresidentja e Parlamentit Evropian, Eva Kaili, pritej të dilte sot në gjykatë.

“Kaili ka kërkuar një shtyrje të seancës së saj dhe do të paraqitet në gjykatë më 22 dhjetor”, tha prokurori publik i Belgjikës në një deklaratë për shtyp.

“Partneri i Kaili si dhe ish-deputeti i Parlamentit Evropian, Antonio Panzeri mbeten të arrestuar”, sipas vendimit të gjykatës, në Bruksel.

“Personi i katërt mbetet gjithashtu në paraburgim, por sipas kushteve të byzylykut elektronik”, thuhet në deklaratë.

Të tre të pandehurit kanë të drejtë ankese kundër vendimit.

Dy persona të tjerë u arrestuan të premten, por që atëherë janë liruar.

Parlamenti Evropian do të votojë nesër nëse do të pezullojë punën që përfshin Katarin pasi dhoma shkarkoi dje Kaili nga posti i saj si zëvendëspresidente.

“Parlamenti Evropian … pezullon të gjithë punën në dosjet legjislative në lidhje me Katarin, veçanërisht në lidhje me liberalizimin e vizave dhe vizitat e planifikuara, derisa dyshimet të jenë konfirmuar ose hedhur poshtë,” thuhet në një draft të mocionit.

Dokumenti kërkon gjithashtu ngritjen e një organi të pavarur të etikës.//a.i/

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like