BRUKSEL – Borrell: Të kundërshtojmë propagandën ruse lidhur me eksportet e grurit në Ukrainë

by admin
Spread the love

BRUKSEL, 20 shtator /ATSH-DPA/- Bashkimi Evropian duhet të vazhdojë të kundërshtojë propagandën ruse lidhur me eksportet e grurit në Ukrainë dhe sanksionet e BE-së, deklaroi dje në mbrëmje në Nju Jork kryediplomati i bllokut Josep Borrell.

Javët e fundit, presidenti rus, Vladimir Putin ka kritikuar një marrëveshje të ndërmjetësuar nga OKB-ja për të lehtësuar eksportet e grurit të Ukrainës nëpërmjet Detit të Zi, duke pretenduar se eksportet nuk kishin arritur në vendet në nevojë.

“Shikoni statistikat, dy të tretat e eksporteve ukrainase kanë shkuar në Afrikë, në Lindjen e Mesme dhe Azi”, tha Borrell, duke shtuar se përpjekjet e OKB-së dhe BE-së për të rifilluar eksportet e grurit në Ukrainë kanë ulur tashmë çmimet e ushqimit në mbarë botën.

Putin ka pohuar gjithashtu se sanksionet e BE-së u mohojnë vendeve të tjera aksesin ndaj plehrave kimike ruse, ndërsa lejojnë bllokun të vazhdojë të importojë produktet.

“Sanksionet tona shënjestrojnë ekonominë ruse, dhe jo ushqimin apo bujqësinë”, tha Borrell.

“Ne duhet të vazhdojmë të zmbrapsim propagandën ruse dhe narrativën e saj mashtruese”, theksoi ai.

Borrell u rekomandoi kompanive private të shmangnin blerjen e plehrave kimike të Rusisë jo për shkak të sanksioneve të BE-së, por për shkak të pasigurive të të bërit biznes me një regjim që po vret dhe rrëmben civilë në një vend fqinj.

“Rreth 14 milionë tonë grurë janë eksportuar nga Ukraina në javët e fundit”, raportoi një zyrtar i BE-së të martën në Bruksel. Nga kjo, 61% e mallrave u transportuan me rrugë tokësore, 39% e mbetur nëpërmjet Detit të Zi.

Në maj, Komisioni Evropian vlerësoi se 20 milionë tonë grurë ishin bllokuar në Ukrainë pas pushtimit të Rusisë.

Para luftës Ukraina ishte një nga prodhuesit më të rëndësishëm të grurit në botë.//a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like