BRUKSEL – BE propozon mbrojtjen ndaj rreziqeve të infrastrukturës kritike

by admin
Spread the love

STRASBURG, 18 tetor /ATSH-DPA/-Komisioni Evropian dëshiron që shtetet anëtare të BE-së të mbrojnë më mirë infrastrukturën e cenueshme si tubacionet dhe kabllot e komunikimit, sipas një propozimit.

“Në një situatë ku kërcënimi ndaj infrastrukturës kritike është shumë i lartë, Bashkimi Evropian duhet të përshpejtojë përgatitjet”, tha në një konferencë për shtyp, komisionerja e BE-së për Çështjet e Brendshme, Ylva Johansson.

Në sfondin e tensioneve të larta midis BE-së dhe Rusisë për shkak të luftës në Ukrainë, incidentet e dyshuara të sabotimit kanë nxjerrë në pah rreziqet me të cilat përballet blloku.

Shpërthimet e pashpjegueshme në fund të shtatorit shkaktuan rrjedhjen e gazit në gazsjellësit “Nord Stream 1” dhe “Nord Stream 2” në Detin Baltik, dy rrjedhje në ujërat suedeze dhe dy në ujërat daneze.

Në tetor, kabllot thelbësore për komunikimet e trenave u dëmtuan qëllimisht në Gjermani, duke paralizuar trafikun hekurudhor në veri të vendit për orë të tëra.

Tani, komisioni kërkon të forcojë rolin e tij në përgjigjet ndaj sabotazheve ose sulmeve të mundshme, përmes koordinimit si dhe hartimit të një plani politikash.

Përveç kësaj, krahu ekzekutiv i BE-së kërkon që shtetet anëtare të BE-së të kryejnë teste stresi në sektorët e energjisë, transportit dhe komunikimit për të identifikuar dobësitë. Theksi duhet të jetë në shërbimet ndërkufitare.

Komisioni gjithashtu dëshiron të përmirësojë sistemet e paralajmërimit të hershëm në Mekanizmin e Mbrojtjes Civile të bllokut, një platformë për të koordinuar dhe ndarë burimet e emergjencës.//a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like