BRUKSEL – BE paralajmëron Twitter-in: Në Evropë vlejnë rregullat tona

by admin
Spread the love

BRUKSEL, 28 tetor /ATSH-AA/ – Pas blerjes së rrjetit social Twitter nga miliarderi amerikan Elon Musk, Bashkimi Evropian (BE) paralajmëroi se në Evropë zbatohen rregullat e tyre.

Thierry Breton, anëtar i Komisionit të BE-së përgjegjës për tregun e brendshëm, iu përgjigj mesazhit “Zogu u lirua” nga Musk, pas përfundimit të blerjes së Twitter-it.

“Zogu në Evropë do të fluturojë sipas rregullave tona”, tha Breton.

Në mesazhin e tij, Breton përdori etiketën “DSA”, duke iu referuar Aktit të Shërbimeve Digjitale të BE-së. Ky ligj kërkon që ofruesit e shërbimeve digjitale, të tilla si Twitter, të heqin sa më shpejt të jetë e mundur përmbajtjen që konsiderohet e paligjshme në internet, siç është “gjuha e urrejtjes”.

Breton ndau gjithashtu videon e deklaratës që ata bënë pas takimit me Musk-un në maj. Në video, Breton shpjegon Aktin e Shërbimeve Digjitale të BE-së, ndërsa Musk shprehet se është dakord “me gjithçka që thua”.

Blerja 44-miliardë dollarëshe e rrjetit social Twitter nga shefi ekzekutiv i kompanive Tesla dhe SpaceX, Elon Musk, përfundoi dje.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like