Bota “përvëlohet” deri në 2100: Një e pesta e popullsisë, rrezik ekstrem!

by admin
Spread the love

Studiuesit në Europë e Kinë janë të bindur se në fund të shekullit, më shumë se dy miliardë njerëz do të jetojnë në vende, ku i nxehti ekstrem do të jetë kërcënues për jetën.

Një hulumtim i publikuar së fundi tregon se plot një e pesta e popullsisë së botës do të përballet me këtë kërcënim. Nxehtësia ekstreme, sipas kërkuesve nga Kina, Holanda dhe Britania, do ta bëjë të padurueshme jetën në pjesën jugore të globit.

Raporti “Kostoja Njerëzore e Ngrohjes Globale”, i publikuar në revistën “Nature Sustainability”, del në përfundimin se disa zona në Indi, Nigeri dhe Indonezi do të bëhen pothuajse të pabanueshme për shkak të nxehtësisë ekstreme. India tashmë po përballet me valë masive të nxehti duke lëshuar paralajmërime për pasojat e rënda nga temperaturat e larta në shtatë shtete qendrore dhe jugore të vendit.

Tim Lenton, profesor në Universitetin Exeter dhe një nga autorët e raportit, thotë se edhe vendet e Evropës do të bëhen më të thata nga rritja e temperaturave. Ai i përshkruan zonat që do t’i mbijetojnë mirë nxehtësisë si të favorizuara.

“Temperatura dhe reshjet së bashku ndërtojnë një strukturë interesante që krijon kushtet për një jetë të mirë për njerëzit në zonat më të ftohta. Zonat me temperatura të larta nuk janë të mira për jetën, ndërsa ato që ndikohen nga shirat monsune, i nxehti dhe lagështia ofrojnë kushte më të mira për jetën. Dhe situata është e rëndë në zonat me temperatura shumë më të larta“, shprehet Lenton.

Sipas vlerësimeve më konservatore të studimit, në vitin 2100 temperatura do të arrijë 2.7 Celsius mbi nivelet që ishte në periudhën para zhvillimit industrial. Më pak se një për qind e njerëzimit aktualisht jeton në vende me nivel të rrezikshëm të nxehtësisë, por studimi tregon se ndryshimi i klimës tashmë e ka nxjerrë nëntë për qind të popullsisë së botës, ose më shumë se 600 milionë njerëz, jashtë zonës së favorizuar.


Top Channel

You may also like