Bomba thërrmuese për Ukrainën, pse aleatët po dalin kundër Amerikës

by admin
Spread the love
Bombat thërrmuese përmbajnë një numër të madh miniprojektilesh, pra predha të kalibrit të vogël, të cilat dalin nga gëzhoja pasi aktivizohet një bombë e tillë. Bombat më të vogla shpesh nuk shpërthejnë menjëherë pas aktivizimit, prandaj mund të ndodhë që ato të vrasin ose plagosin njerëz shumë kohë pas hedhjes së tyre.

“Një vendim i vështirë”. Kështu e konsideroi Presidenti amerikan Joe Biden dakordësinë për dërgesën e re të armëve në Ukrainë, në momentin kur forcat e Volodymyr Zelensky-t duket se kanë më shumë nevojë për to.

Edhe pse më shumë se 100 vende kanë ndaluar bombën thërrmuese amerikane për shkak të rrezikut për civilët dhe kanë shprehur shqetësim të fortë për vendimin e SHBA-ve për t’i dërguar në Ukrainë, Biden ishte i bindur për vendimin pasi sipas tij “ukrainasve po u mbarojnë municionet”.

Megjithatë Britania, Kanadaja, Zelanda e Re dhe Spanja vijojnë të kundërshtojnë përdorimin e këtyre armëve.

Kjo pasi kemi të bëjmë me një klasë armësh që përmbajnë bomba të vogla eksplozive me shumicë, që mund të vrasin pa dallim dhe në një zonë të gjerë. Gjithashtu, municioni ka shkaktuar polemika për shkallën e dështimit të tij. Bombat shpërthyese mund të qëndrojnë në tokë për shumë vite dhe më pas të shpërthejnë, duke shkaktuar vdekje dhe dëmtime në një kohë të paditur.

Si vendosën SHBA-të të dërgonin armët specifike në Ukrainë?

Biden tha në një intervistë për CNN se kishte folur me aleatët për vendimin, si pjesë e një pakete ndihme ushtarake prej 800 milionë dollarësh, por vendimi u kritikua nga grupet e të drejtave të njeriut.

Amnesty International tha se municionet thërrmuese përbëjnë një “kërcënim serioz për jetën civile, edhe shumë kohë pasi konflikti të ketë përfunduar“.

Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i SHBA-ve, Jake Sullivan, u tha gazetarëve se bombat thërrmuese amerikane të dërguara në Ukrainë dështojnë shumë më rrallë se ato të përdorura tashmë nga Rusia në konflikt.

Por të shtunën, disa aleatë perëndimorë të SHBA-së refuzuan të mbështesin vendimin e saj.

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar , Rishi Sunak, i pyetur për këtë çështje, komentoi se vendi i tij është një nga 123 vendet që kanë nënshkruar Konventën për Municionet Thërrmuese, e cila ndalon prodhimin ose përdorimin e këtyre armëve dhe dekurajon përdorimin e tyre.

Nga ana e tij, kryeministri i Zelandës së Re, një nga vendet që nxiti krijimin e konventës, tha se armët “pa dallim, shkaktojnë dëme të mëdha te njerëzit e pafajshëm, potencialisht dhe gjithashtu mund të kenë efekte afatgjata. Shtëpia e Bardhë ishte informuar për kundërshtimin e Zelandës së Re ndaj përdorimit të bombave thërrmuese në Ukrainë”.

Jo bombave thërrmuese, por po mbrojtjes legjitime të Ukrainës

Ministrja spanjolle e Mbrojtjes Margarita Robles u tha gazetarëve se vendi i saj ka një “angazhim të fortë” që disa armë dhe bomba nuk mund të dërgohen në Ukrainë.

“Jo bombave thërrmuese dhe po mbrojtjes legjitime të Ukrainës, e cila, siç e kuptojmë, nuk duhet të kryhet me bomba thërrmuese”, tha ajo.

Qeveria kanadeze ka thënë po ashtu se është veçanërisht e shqetësuar për ndikimin e mundshëm të bombave – të cilat ndonjëherë qëndrojnë të fjetura për vite me radhë.

Kanadaja ka deklaruar gjithashtu se është kundër përdorimit të bombave thërrmuese dhe se mbetet në përputhje të plotë me Konventën për Municionet Thërrmuese.

“Ne e marrim seriozisht detyrimin tonë sipas konventës për të inkurajuar miratimin e saj universal“, thanë ata në një deklaratë.

SHBA, Ukraina dhe Rusia nuk e kanë nënshkruar konventën, ndërsa Moska dhe Kievi kanë përdorur bomba thërrmuese gjatë luftës.

Ndërkohë, Gjermania, një nënshkruese e traktatit, tha se megjithëse nuk do t’i jepte armë të tilla Ukrainës, ajo e kuptonte pozicionin amerikan.

“Ne jemi të sigurt se për miqtë tanë amerikanë nuk ishte e lehtë të merrnin vendimin për të dërguar municione të tilla“, u tha gazetarëve në Berlin zëdhënësi i qeverisë gjermane Steffen Hebstreit.

Zyra e OKB-së për të drejtat e njeriut ka qenë gjithashtu kritike, me një zëdhënës që ka thënë se “përdorimi i municioneve të tilla duhet të ndalet menjëherë“.

Garancitë e Ukrainës

Ministri i Mbrojtjes i Ukrainës ka dhënë garanci se bombat thërrmuese do të përdoren vetëm për të prishur linjat e mbrojtjes së armikut dhe jo në zonat urbane.

Lëvizja e Biden do të anashkalonte ligjin amerikan që ndalon prodhimin, përdorimin ose transferimin e municioneve thërrmuese me një shkallë dështimi prej më shumë se 1 përqind.

Sullivan, këshilltari i sigurisë kombëtare i SHBA-së, u tha gazetarëve se bombat thërrmuese amerikane kanë një shkallë dështimi prej më pak se 2.5 përqind, ndërsa ato ruse kanë një shkallë dështimi midis 30-40 përqind.

Rusia flet për “një lufte të re botërore”

Një përfaqësues i Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë e përshkroi veprimin si një “akt dëshpërimi dhe provë të pafuqisë përballë dështimit të kundërofensivës së shumëpërfolur ukrainase”.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova tha gjithashtu se garancitë e Ukrainës se do të përdorte municione thërrmuese me përgjegjësi ishin të pavlera.

Edhe ambasadori i Rusisë pranë OKB-së, Anatoli Antonov, e kritikoi dërgimin e bombave thërrmuese të planifikuar nga SHBA-ja. “Mizoria dhe cinizmi me të cilin Uashingtoni po sillet në çështjen e furnizimit të Kievit me armë vdekjeprurëse është i jashtëzakonshëm”, tha Antonov për agjencinë ruse të lajmeve TASS. Edhe pa bombat thërrmuese Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë thellësisht të përfshira në konflikt dhe “po e sjellin njerëzimin më pranë një lufte të re botërore”, tha Antonov.

Në fund, sipas një vlerësimi të Sky News, dërgimi i këtij lloji të raketave tregon se gjërat në fushën e betejës nuk po shkojnë mirë për Kievin.

You may also like