BM – Zelensky, fjalim emocionues në parlamentin britanik

by admin
Spread the love

LONDËR, 8 mars /ATSH-DPA/ Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, citoi udhëheqësin britanik të luftës Winston Churchill në një fjalim emocionues në parlament, duke u zotuar se do të luftojë trupat pushtuese ruse në ajër, det dhe në rrugë.

Në një fjalim në Dhomën e Komuneve, Zelensky përsëriti thirrjen e tij për krijimin e një zone të ndaluar fluturimi nga Perëndimi, duke iu lutur Britanisë së Madhe që “të sigurohet që qiejt e Ukrainës të jenë të sigurt”.

Fjalimi historik erdhi menjëherë pasi ministri i Biznesit, Kwasi Kwarteng njoftoi se Britania e Madhe do të ndalojë gradualisht importin e naftës ruse deri në fund të vitit, si pjesë e sanksioneve ndaj Moskës për shkak të sulmit ndaj Ukrainës, i cili filloi më 24 shkurt.

Diku tjetër, ka pasur zhgënjim për progresin e ngadaltë në trajtimin e refugjatëve ukrainas, ku ministri i Mbrojtjes Ben Wallace ka ofruar mbështetjen ushtarake të Ministrisë së Brendshme për të ndihmuar në përballimin e numrit të njerëzve që përpiqen të hyjnë në Britaninë e Madhe.

Gjatë fjalimit të tij Zelensky, i cili thuhet se duhet të mbajë të fshehtë vendndodhjen e tij, u bëri thirrje deputetëve duke cituar Shekspirin dhe duke perifrazuar Churchill-in.

Në një nga fjalimet më frymëzuese të luftës të ish-kryeministrit britanik, Zelensky tha: “Ne do të luftojmë deri në fund, në det, në ajër. Ne do të vazhdojmë të luftojmë për tokën tonë, pavarësisht nga çmimi. Ne do të luftojmë në pyll, në fusha, në brigje, në rrugë”.

Zelensky gjithashtu nxiti ukrainasit që dëshira e tyre për pavarësi të vazhdonte, pavarësisht se atdheu i tyre ishte nën sulmin e forcave të Kremlinit, duke cituar Hamletin.

“Çështja për ne tani është të jemi apo të mos jemi. Kjo pyetje shekspiriane… Kjo pyetje mund të jetë bërë për 13 ditë, por tani unë mund t’iu jap një përgjigje përfundimtare. Padyshim që po, të jemi”, tha Zelensky.

Presidenti Zelensky tha se Ukraina u përball me një dilemë të ngjashme me atë që u ndesh Britania e Madhe në Luftën e Dytë Botërore.

Ai tha se konflikti aktual, në të cilin 50 fëmijë ishin vrarë, ishte i ngjashëm me atë kur Britania e Madhe “nuk donte të humbiste vendin e saj kur nazistët filluan të luftonin vendin dhe britanikëve iu desh të luftonin për Britaninë e Madhe”.

Kryeministri Boris Johnson, i cili mori një falënderim personal nga Zelensky për mbështetjen e tij, tha se “asnjëherë më parë, në të gjithë shekujt e demokracisë parlamentare, Dhoma e Komuneve nuk kishte dëgjuar një fjalim të tillë”.

“Në një kryeqytet të madh europian, tani brenda rrezes së armëve ruse, presidenti Volodymyr Zelensky po qëndron i palëkundur për demokracinë dhe lirinë”, tha Johnson.//a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like