BM – Johnson: Në Ukrainë do të dërgohen sisteme raketore kundër anijeve

by admin
Spread the love

KIEV, 10 prill /ATSH-DPA/ Kryeministri britanik Boris Johnson u zotua se do të dërgojë 120 automjete të blinduara në Ukrainë, pas takimit me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në Kiev.

Johnson tha se vizita e tij në kryeqytetin ukrainas ishte e papritur, për të treguar mbështetjen e palëkundur për popullin e Ukrainës.

Johnson premtoi një rritje të konsiderueshme të mbështetjes ushtarake britanike, duke shtuar se Britania e Madhe do të dërgonte gjithashtu sisteme të reja raketore kundër anijeve.

Vizita e Johnson vjen një ditë pasi ai njoftoi një ndihmë të re ushtarake me vlerë 100 milionë funte (130.4 milionë dollarë), duke përfshirë armatimin antitank dhe anti-ajror dhe të ashtuquajturat dronë vetëvrasës, të cilët enden në fushën e betejës përpara se të sulmojnë objektivin e tyre.

“Synimet monstruoze të Putinit kanë arritur të pengohen si rezultat i udhëheqjes së vendosur të presidentit Zelensky dhe heroizmit dhe guximit të pathyeshëm të popullit ukrainas”, tha Johnson pas takimit të tij me liderin ukrainas.

“Britania e Madhe qëndron e palëkundur në krah të Ukrainës në këtë luftë të vazhdueshme”, tha ai.

“Ne po forcojmë mbështetjen tonë ushtarake dhe ekonomike dhe po i bashkohemi aleancës globale për t’i dhënë fund kësaj tragjedie dhe për të siguruar që Ukraina të mbijetojë dhe të lulëzojë si një komb i lirë dhe sovran,” shtoi kryeminstri Johnson.

Përveç pajisjeve shtesë, Johnson konfirmoi gjithashtu mbështetje të mëtejshme ekonomike, duke garantuar 500 milionë dollarë shtesë në huadhënien e Bankës Botërore për Ukrainën, duke i çuar garancitë totale të huasë britanike në 1 miliard dollarë. //a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like