BM – Inflacion dyshifror dhe kosto jetese e paparë që nga 1982-shi

by admin
Spread the love

LONDËR, 17 gusht /ATSH-DPA/ – Kostoja e jetesës u rrit përsëri në korrik në Britaninë e Madhe duke ushtruar më shumë presion mbi familjet.

”Inflacioni i Indeksit të Çmimeve të Konsumit (CPI) arriti në 10,1% muajin e kaluar, duke mposhtur të gjitha pritjet”, zbuloi Zyra për Statistikat Kombëtare (ONS).

”Rritja ishte kryesisht për shkak të çmimeve të ushqimeve dhe produkteve kryesore, duke përfshirë madje edhe letrën higjienike dhe furçat e dhëmbëve”, tha ONS.

Inflacioni pritej të arrinte në 9,8%, sipas një mesatare të vlerësimeve të analistëve të llogaritur nga ”Pantheon Macroeconomics”.

”Është rritja më e madhe në koston e jetesës që nga shkurti i vitit 1982, kur CPI arriti në 10,4%”, sipas vlerësimeve të ONS.

Kryeekonomisti i ONS, Grant Fitzner tha se “një gamë e gjerë rritjesh çmimesh e çoi inflacionin përsëri në rritje këtë muaj”.

”Çmimet e ushqimeve u rritën në mënyrë të dukshme, veçanërisht produktet e bukës, qumështit, mishit dhe perimeve, gjë që u reflektua edhe në çmime më të larta. Rritja e çmimeve në artikujt e tjerë kryesorë, si ushqimi për kafshët shtëpiake, tualetet, furçat e dhëmbëve dhe deodorantët gjithashtu nxitën inflacionin në korrik”, shtoi ai.

Kostoja e lëndëve të para dhe mallrave që largohen nga fabrikat vazhdoi të rritet, e nxitur nga çmimi i metaleve dhe ushqimit respektivisht.

Inflacioni pritet të bjerë pak në gusht, megjithatë, sipas vlerësimeve, mund të rritet në 13,3% në tetor, kur kufiri i çmimit të energjisë të rritet sërish.

Banka e Anglisë mendon se kjo mund ta shtyjë vendin në recesion.

“Marrja nën kontroll e inflacionit është prioriteti im kryesor dhe ne po ndërmarrim veprime nëpërmjet politikës monetare të fortë e të pavarur, vendimeve të përgjegjshme tatimore dhe shpenzimeve dhe reformave për të nxitur produktivitetin dhe rritjen”, tha sekretari i Thesarit, Nadhim Zahawi./ a.jor.

The post BM – Inflacion dyshifror dhe kosto jetese e paparë që nga 1982-shi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

You may also like