BM – Cleverly dhe Baerbock diskutojnë mbështetjen për Ukrainën

by admin
Spread the love

BERLIN, 5 janar /ATSH-DPA/ – Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock ndodhet sot për një vizitë zyrtare në Londër për të diskutuar mbështetjen e mëtejshme për përpjekjet e luftës së Ukrainës kundër Rusisë, me homologun e saj britanik, James Cleverly.

Vizita erdhi pasi presidenti francez Emmanuel Macron vendosi të sigurojë automjete zbulimi të blinduara AMX-10 RC, të cilat Macron i përshkroi si “tanke të lehta beteje”, në atë që është parë si kapërcim i një pragu të ri në dërgesat e armëve në Ukrainë.

“Sa më shpejt që Putin të kuptojë se lufta e tij brutale e agresionit është e dënuar të dështojë, aq më shpejt do të ketë shpresë për një fund të luftës”, tha Baerbock përpara se të largohej nga Berlini në udhëtimin që ishte shtyrë vazhdimisht.

Ajo tha se do të diskutonte me Cleverly se si të mbështeste Ukrainën “me armë, me ndihmë dhe me sanksione (kundër Rusisë), në mënyrë që ata të fitojnë luftën dhe ne të jetojmë në liri dhe paqe”.

Gjermania ka refuzuar kërkesat e përsëritura nga Ukraina për armaturë moderne, përfshirë tanket e saj kryesore të betejës ”Leopard 2” dhe automjetet e saj luftarake të këmbësorisë Marder, ndërkohë që kancelari Olaf Scholz tha se ”asnjë aleat tjetër i NATO-s nuk ka furnizuar sisteme të këtij lloji”.

Baerbock po shtyn një dialog strategjik gjermano-britanik pas daljes së Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian.

”Duhen ndërtuar ura në fushat e shkëmbimit të të rinjve, lëvizshmërisë së punës, studimit akademik dhe kërkimit”, tha ajo./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like