Biznismenja Mihane Kodra – Bekteshi tregon pse u rikthye si Presidente e KF Drenicës dhe cila është lidhja me klubin

by admin
Spread the love

U largua dy vite më parë nga posti i Presidentes tek klubi i Drenicës, por u rikthye atëherë kur i duhej më së shumti “Kuqezinjve”. Bëhet fjalë për biznismenen, Mihane Kodra-Bekteshi, shkruan Insporti

Kodra – Bekteshi është tashmë Presidenjta e re e klubit të Drenicës, dhe me ardhjen e saj morën fund edhe problemet financiare tek klubi. Këtë e ka konfirmuar vet znj.Mihane në një prononcim për Insportin.

“Me ardhjen tonë gjendja te klubi ka ndryshuar shumë, i kemi dhënë tre paga të borxhit të kalum. Pagën e katërt po shpresojmë gjatë kësaj jave me dhënë. Edhe obligimet e tjera i kemi shly” – tha Kodra – Bekteshi për Insportin.

Ajo shtoi se për shkak të lidhjes me klubin, Drenicën e kishte ndihmuar edhe kur nuk kishte qenë në rolin e Presidentes.

“Klubin e kam ndihmuar edhe kur nuk kam qenë Presidente me aq sa kam pasë mundësi, por kësaj radhe kam shpreh vullnet, për shkak se ishte klubi gati të dorëzohej” – shtoi më tutje presidentja e klubit të Drenicës.

Por, cila është arsyeja e lidhjes me këtë klub? Mihane Kodra- Bekteshi ka zbuluar për Insportin ku buron dashuria për klubin nga Skenderaj.

“Jam e lidhne ngusht me klubin e Drenicës, për arsye se edhe fëmijët më kanë lujtë në klubin e Drenicës, si nënë që ta jep një far vullneti” – zbuloi ajo.

Tutje, Bekteshi foli edhe për ndeshjen e Drënicës ndaj Prishtinës, që u zhvillua në kuadër të Kupës së Kosovës. Takim ky që solli mjaft polemika.

Prishtina e mposhti 2:1 Drenicën pas vazhdimeve, duke kaluar në çerekfinale të Kupës së Kosovës. Prishtina ishte duke rënë nga gara e kupës pasi Uka e kishte kaluar skuadrën nga Skenderaj në epërsi në minutën e 61-të, por një penallti në çastet e fundit të ndeshjes e shpëtoi dhe e çoi ndeshjen e 1/8 së finales në vazhdime.

“Unë gjithë gati i përcjelli ndeshjet. Ka qenë një lojë tepër e mirë. Prishtina nuk e ka mujtë Drenicën, por referi. I ka shtu 8 minuta, ka mujtë me i shtu 5, 6, ai nuk e mbyllke ndeshjen pa marrë gol Drenica, ai refer ka lujtë me ndienjat e lojtarëve” – përfundoi ajo.

Kujtojmë se, thuajse të gjitha klubet e Superligës së Kosovës gjendeshin në tokën turke për t’i kryer stërvitjet para stinorit pranveror, klubi i Drenicës, që e nisën furishëm sezonin gjendeshin në Shqipëri, dhe kjo falë financimin nga Komuna dhe donatorëve nga qyteti.

Ndryshe, në nëntor të vitit që lam pas, kryesia e klubit të futbollit “FC Drenica” dha dorëheqje nga drejtimi i klubit, kjo si rrjedhojë e pamundësisë së financimit të klubit dhe pamundësisë për t’i permbushur obligimet e klubit.

/Insporti.com

You may also like