BILANCI I FAZËS SË PARË/ Kimish dhe De Ligt humbësit më të mëdhenj prej Tuhelit

by admin
Spread the love

Numri i lartë i golave nga Bajern Mynihu nuk ka rezultuar efikas krahas pikëve të grumbulluara në Bundesligë, 48 finalizime në 15 takime të kampionatit, por diferenca me Leverkusenin kryesues mbetën në hendekun e 4 pikëve, ndonëse bavarezët kanë një ndeshje më pak në tabelë. “Sport.de” përmes analizës së thelluar ka zbuluar emrat e futbollistëve që kanë fituar dhe humbur pas fazës së parë në Mynih, aty ku Tomas Tuhel ka mbajtur statusin e shefit rreth protagonistëve në fushë.

FITUESIT:
KEJN-Megjithëse Herri Kejn mbërriti në gjirin e kampionëve të Bundesligës me një sërë arritjesh individuale, sërish u hodh hipoteza se ai do ta kishte disi të vështirë ambientimin në Gjermani. Por finalizimet e panumërta të bomberit anglez i kanë shuar çdo dyshim. Madje po përjeton ciklin më të frytshëm në karrierë, 21 gola vetëm në kampionat (15 prezenca), rekord absolut, sikurse “rimbursimin” e vlerës prej më tepër se 90 mln eurosh që bordi i rekordmenëve depozitoi në financat e Totenhemit.

NOJER-Thyerja e këmbës nga Nojeri në sportin e skisë gjatë vitit të shkuar krijoi mjaft pasiguri. Gjithsesi, kapiteni i bavarezëve përmes punës së palodhur zbriti sërish në fusha, duke hedhur pas krahëve mbi 300 ditë mungesë në ndeshje zyrtare. Gardiani 37-vjeçar dhuroi menjëherë siguri në katërkëndësh, teksa nuk diskutohet roli i titullarit. Pritjet spektakolare kundër Kopenhagen në Ligën e Kampionëve dhe karshi Dortmundit rikthyen reflekset e “Nojerit të dikurshëm”.

SANE-Leroi mbart statistika më të mirë se vitin e shkuar, shto faktin e inkuadrimit vetëm në gjysmën e sezonit, tregues se Sane premton thyerje të rekordeve personale. Nisje e jashtëzakonshme, e përkthyer me të dhëna të frikshme të dueleve të para në ligë, 100% goditje të sakta në kuadrat. Evoluimi i javëve dha rënie të kontributit nga anësori gjerman, ndonëse jo në pikun sa të cilësohet si ngërç.

MUSIALA-Numrat e Xhamalit janë të diferencuara krahas Kejnit apo Sanesë, megjithëse vlera e talentit 20-vjeçar qëndron paksa në hije mbi finalizimet. Sa herë që Musiala aktivizohet, Bajerni merr frymëmarrje në ndërtimin e lojës dhe shpërndarjen e saj në drejtime të ndryshme. Mjafton të cekim ballafaqimin karshi Mançester Junajtid në Champions, e ku rëndësia e lojtarit me numër “42” u bë jetike në ekip. Kur “bambi” mungon, bavarezët humbin shpejtësinë dhe saktësinë në rrjedhjen e aksioneve ofensive.

TIL-Zhvillimi i Matis Til në ciklin ekzistues ka befasuar edhe kritikët më të mëdhenj. Golat e talentit francez i nxorën nga situata e ndërlikuar Kejnin me shokë, duke nisur me sfidën M’Gladbah-Bajern apo Kopenhagen-Bajern. Vlefshmëria e transalpinit përkthehet në 6 gola dhe 3 asiste, e konkluduar pas 20 ndeshjesh. Nga 20 mln euro që vlerësohej në korrik, kartoni i 18- vjeçarit ka shkuar në 50 mln euro, rritje galopante, pavarësisht konkurrencës së ashpër në sulmin e kampionëve.

HUMBËSIT:
KIMISH-Presidenti i Bajernit, Herbert Hainer, në merkaton e verës e cilësoi të paprekshëm Joshua Kimishin. Kanë kaluar vetëm pak muaj dhe “regjisori” i Tuhelit është kthyer në problem. Nga mosmarrëveshjet me trajnerin e deri te luhatjet e formës. Përflitet se Kimish do largohet në merkaton e verës, pasi Tuhel nuk i beson si opsion i suksesshëm në zemër të formacionit. Edhe analistët e kanë kryqëzuar shpesh 28-vjeçarin, duke e përkufizuar si i humbur në fushë.

GNABRI-”I pafat”, kjo do të ishte fraza e duhur që e ka përndjekur Serzh Gnabrin. Lëndimet në masë nuk e kanë lënë të demonstrojë kreativitetin para portës, ndryshe nga etapa e kaluar, pikërisht golat e Gnabrit i ndihmuan të siguronin titullin, përtej elementit se Musiala u bë “hero” në minutat finale kundër Këlnit.

MAZRAUI-Korsia e djathtë e prapavijës në Mynih nuk ka lojtarë fiks. Në të tillë situatë, trajneri i kampionëve ka alternuar Laimerin, Guerreiron dhe Mazrauin. Futbollisti maroken ia ka dalë të përshkruajë më së shumti linjën e prapavijës (në të djathtë), por jo aq sa të japë siguri. Efikasiteti i topave në zonën mike lë për të dëshiruar, pa neglizhuar dëmtimet e rëndomta.

DE LIGT-Reparti defensiv i Bajernit është vënë në “shënjestrën” e mediave dhe analistëve. Pasiguria dhe numri i lartë i golave të pësuar kanë ndikuar negativisht, e ku tekniku e ka vënë në dukje mungesën e liderit në mbrojtje. De Ligt erdhi me pretendime të mëdha, ama Tuhel e ka “kursyer”, teksa e ka zbritur në fushë si zëvendësues, ndryshe nga sa vepron me Kim dhe Upamekano.

GUERREIRO-E nisi aventurën në Mynih me dëmtime dhe ende lëngon mbrojtësi portugez në “Allianz Arena”. Inkursionet e shpejta në krahë dhe qendër të mesfushës “fiken” në segmente të shkurtra prej lëndimeve. “Timonieri” i skuadrës nuk ka një plan të qartë se cilin rol do të mbulojë Guerreiro, i cili shkaktoi “zhurmë” në verë përmes aksit Dortmund-Mynih.

PANORAMASPORT.AL

You may also like