Bie Kurz por jo qeveria – Shqip

by admin
Spread the love

Kreu i Partisë së Gjelbër dhe Zëvendës Kancelari Werner Kogler përshëndeti dorëheqjen e Sebastian Kurz si Kancelar austriak dhe njoftoi se partia e tij do të vazhdojë koalicionin e saj me Partinë Popullore Austriake (OVP).

“Vendimi për të dhënë dorëheqjen është i saktë për punën e mëtejshme të qeverisë në favor të vendit. Ne kemi një përgjegjësi të përbashkët për të garantuar stabilitetin,” tha Kogler në një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp.

Kurz dha dorëheqjen si kreu i qeverisë austriake të shtunën në mbrëmje, pasi u dyshua për një skandal korrupsioni.

Vendimi i Kurz erdhi pasi u bë e qartë se partneri i koalicionit të të Gjelbërve nuk donte të vazhdonte të punonte me të në qeveri.

“Unë po tërhiqem për të shmangur kaosin dhe për të zgjidhur ngërçin në të cilin gjendet koalicioni. Unë do të jem kreu i grupit parlamentar OVP në Parlament,” tha Kurz.

“Vendi im është më i rëndësishëm për mua sesa unë,” shtoi ai.

Kurz tha në një deklaratë për mediat se ai po propozonte ministrin e Jashtëm Alexander Schallenberg si pasardhësin e tij, raporton Reuters.

Schallenberg nuk është anëtar i Partisë Popullore, të udhëhequr nga Kurz, kështu që ai do të ishte më i pranueshëm për të Gjelbrit.

Kriza në qeverinë austriake u shkaktua pasi Zyra e Prokurorit për Luftën kundër Krimit Ekonomik dhe Korrupsionit nisi një hetim kundër Kurz dhe nëntë personave të afërt me të nën dyshimin për përvetësim, marrje dhe dhënie ryshfeti.

Ata akuzohen për përvetësim të parave të taksave në vitin 2017, të cilat i përdorën për fushatat mediatike. Por Kurz hodhi poshtë akuzat.

Kurz gjithashtu po hetohet për dhënien e dëshmisë së rreme para komisionit parlamentar për hedhjen dritë mbi të ashtuquajturën Skandali Ibiza në mes të rënies së qeverisë atëherë populiste-liberale në pranverën e vitit 2019, i përbërë nga populistë dhe e djathta ekstreme. Dhe për atë rast, Kurz u deklarua i pafajshëm.

Kurz dha dorëheqjen për të shmangur një votim mosbesimi, i cili u njoftua për javën e ardhshme.

Opozita, kryesisht Partia Social Demokratike e Austrisë (SPO), reagoi me pakënaqësi ndaj vendimit të të Gjelbërve për të vazhduar koalicionin. /tesheshi.com/

You may also like