Biden: ShBA nuk e ka verifikuar tërheqjen e trupave ruse pranë Ukrainës

by admin
Spread the love

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), Joe Biden tha të martën se ShBA-ja nuk e ka verifikuar ende nëse disa trupa ruse janë larguar nga pozicionet pranë Ukrainës dhe janë kthyer në bazat e tyre.

Zhvillimet e fundit lidhur me krizën ukrainase Joe Biden i vlerësoi në një konferencë shtypi në Shtëpinë e Bardhë.

Biden përsëriti se Uashingtoni është gati të angazhohet në diplomaci me Rusinë dhe paralajmëroi se ShBA-ja do t’i japë një përgjigje të ashpër Rusisë në rast se kjo sulmon Ukrainën, gjë që është ende shumë e mundur të ndodhë.

Ne duhet t’i japim diplomacisë çdo shans për të pasur sukses”,- shtoi shefi i Shtëpisë së Bardhë.

“ShBA mbetet e hapur dhe e qartë që nga fillimi i tensionit Ukrainë-Rusi. ShBA-ja është e përgatitur sido që të ndodhë. Ne jemi gati për diplomaci me Rusinë, me aleatët dhe partnerët tanë për të zhvilluar paqen dhe stabilitetin në Evropë. Në të njëjtën kohë, ne jemi të përgatitur edhe për një ofensivë ruse në Ukrainë, e cila është ende shumë e mundshme”, tha presidenti amerikan.

Duke iu referuar njoftimit të bërë nga Ministria ruse e Mbrojtjes se disa trupa janë larguar nga kufiri ukrainas, Biden tha se “ky do të ishte një lajm i mirë, por ne ende nuk kemi konfirmuar nëse njësitë ushtarake ruse janë kthyer në bazat e tyre. Analistët tanë thonë se rusët janë ende në një pozicion kërcënues”, tha presidenti amerikan, ndërsa theksoi se “numri i trupave ruse në kufijtë me Ukrainën dhe Bjellorusinë është më shumë se 150 mijë”.

Joe Biden tha se ShBA, Rusia dhe NATO kanë paraqitur oferta. “Ne nuk do të sakrifikojmë parimet tona themelore. Kombet kanë të drejtë të jenë sovrane dhe të mbrojnë integritetin e tyre territorial, por ka ende hapësirë të mjaftueshme për diplomaci dhe uljen e tensionit“,- shtoi ai.

Presidenti amerikan theksoi se NATO ose Ukraina nuk përbëjnë kërcënim për Rusinë.

“Ne nuk kërkojmë të destabilizojmë Rusinë. Qytetarë rusë: ju nuk jeni armiqtë tanë. Unë gjithashtu nuk besoj se ju dëshironi një luftë të përgjakshme me Ukrainën. Pasi ju keni lidhje shumë të thella historike dhe kulturore me këtë vend”,- ishte mesazhi që dha Biden.

Presidenti amerikan tha se një sulm rus ndaj Ukrainës do të ishte një luftë e panevojshme dhe e pakuptimtë.

“Nëse Rusia pushton Ukrainën në ditët e ardhshme, humbja e Ukrainës në aspektin njerëzor do të ishte e madhe dhe tragjike. Ofensiva ruse do të dënohej nga e gjithë bota, e cila nuk do të harronte shkatërrimin dhe vdekjen e panevojshme të shkaktuar nga Rusia”,- tha Joe Biden.

Ai shtoi se do të vendosin sanksione të paprecedentë kundër Rusisë në rast se kjo do ta pushtonte Ukrainën.

“Sa i përket gazsjellësit ‘Nord Stream-2’ midis Rusisë dhe Gjermanisë, nuk do të ketë rrjedhje gazi nëse Rusia pushton Ukrainën,” paralajmëroi ai.

Biden deklaroi përsëri se ShBA-ja nuk do të dërgojë trupa në Ukrainë, por do të mbështesë aleatët e NATO-s.

“Unë nuk do të pretendoj se hapat që do të ndërmarrim kundër Rusisë do të jenë të padhimbshme për ne. Ato mund të kenë ndikim në çmimet e energjisë. Ne po i ndërmarrim gjithashtu hapat aktivisht me konsumatorët dhe prodhuesit kryesorë të energjisë”,- sqaroi presidenti amerikan.

Biden konfirmoi se ai i kishte diskutuar me Kongresin hapat e mundshëm në lidhje me krizën ukrainase. “Ne nuk duam një konflikt të drejtpërdrejtë me Rusinë, por nëse ajo merr në shënjestër amerikanët në Ukrainë, ne do të përgjigjemi fuqishëm. Nëse Rusia kryen sulme asimetrike kundër kompanive tona, kundër infrastrukturës tonë kritike apo kundër aleatëve tanë përmes sulmeve kibernetike, ne jemi të gatshëm të hakmerremi”, theksoi ai.

 

You may also like