BERLIN – Stoltenberg: Kemi nevojë për një Bundeswehr të fortë dhe të gatshëm

by admin
Spread the love

BERLIN/BRUKSEL, 1 dhjetor /ATSH-DPA/ – Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg i ka bërë thirrje Gjermanisë që të vazhdojë të forcojë forcat e saj të armatosura.

“Vendimi i Gjermanisë për të rritur ndjeshëm shpenzimet e mbrojtjes është historik me investimet në avionë të rinj luftarakë, helikopterë, anije dhe nëndetëse”, tha Stoltenberg.

“Kjo është me të vërtetë një Zeitenwende, një pikë kthese, që pasqyron mjedisin tonë të ndryshuar të sigurisë,” tha ai duke iu referuar luftës së Rusisë kundër Ukrainës.

“Ne kemi nevojë për një Bundeswehr të fortë dhe të gatshëm”, tha Stoltenberg, i cili theksoi gjithashtu rëndësinë e industrisë së mbrojtjes në Gjermani.

“Kjo ka rëndësi për sigurinë e Gjermanisë, ka rëndësi për sigurinë e Evropës dhe ka rëndësi për sigurinë globale”, theksoi ai.

Duke iu kthyer Ukrainës, ai bëri thirrje që mbështetja të vazhdojë dhe të rritet.

“Ne nuk duhet të nënvlerësojmë Rusinë. Raketat dhe dronët rusë vazhdojnë të bien mbi qytetet e Ukrainës, civilët dhe infrastrukturën kritike, duke shkaktuar vuajtje të mëdha njerëzore me fillimin e dimrit”, tha Stoltenberg.

Stoltenberg përshëndeti ndihmën financiare, humanitare dhe ushtarake të Gjermanisë për Ukrainën, duke thënë se kjo bën një ndryshim në fushën e betejës.

Stoltenberg përsëriti thirrjen e tij për t’u ngritur kundër regjimeve autoritare si Rusia.

“Nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme nëse fiton agresori, nëse shtypja dhe autokracia mbizotërojnë mbi lirinë dhe demokracinë. Kështu që mënyra më e mirë për të mbështetur paqen e qëndrueshme është të mbështesësh Ukrainën. Varësia e rrezikshme nga gazi rus duhet të merret parasysh edhe kur kemi të bëjmë me Kinën”, vuri në dukje Stoltenberg./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like