BERLIN – Scholz: Gjermania qëndron me popullin iranian në luftën e tyre për liri

by admin
Spread the love

BERLIN, 12 nentor /ATSH-AA/ – Kancelari gjerman Olaf Scholz tha se vendi i tij mbështet popullin iranian në luftën e tyre për liri dhe drejtësi, ndërsa mban përgjegjëse qeverinë iraniane për “shtypjen brutale” të forcave të sigurisë.

“Mesazhi im për demonstruesit dhe qytetarët me origjinë iraniane këtu në Gjermani është ky: ne mbështesin gjithçka për të cilën ju bëni thirrje – për të drejtat e njeriut dhe të drejtat e grave. Ne qëndrojmë krah për krah me popullin iranian”, tha Scholz në një video-mesazh të transmetuar në faqen e internetit të kancelarit.

“Nxënësit, studentët, nënat dhe baballarët, gjyshërit, të gjithë ata po luftojnë në rrugë për më shumë liri dhe drejtësi … në vendin e tyre Iran. Këtu në vendin tonë, ne mezi mund të imagjinojmë se sa guxim kërkon kjo”, shtoi Scholz.

Scholz po i referohej protestave masive të vazhdueshme në Iran që nga mesi i shtatorit pas vdekjes së Mahsa Aminit pas arrestimit nga policia morale e vendit për “shkelje të kodit islam të veshjes”.

Udhëheqësi gjerman theksoi se është “e qartë se qeveria iraniane është e vetmja përgjegjëse për këtë valë dhune”.

“Dhe kujtoj faktin që Irani është anëtar i Kombeve të Bashkuara. Irani është zotuar të mbrojë të drejtat e njeriut. Ky është matësi me të cilin ne masim veprimet e udhëheqjes iraniane”, tha ai.

“Ne bëjmë thirrje për ndalimin e menjëhershëm të dhunës. Bëjmë thirrje për lirimin e të burgosurve politikë dhe gazetarëve të burgosur”, theksoi kancelari gjerman.

Duke iu referuar planeve të BE-së për sanksione të reja kundër Iranit në përgjigje të shtypjes brutale të protestave, Scholz u zotua “të vazhdojë të rrisë presionin ndaj Korpusit të Gardës Revolucionare dhe udhëheqjes politike”.

“Ne po mbështesim përpjekjet për të mbledhur prova në mënyrë që autorët të mund të sillen para drejtësisë. Ne duam që të thirret një sesion i posaçëm i Këshillit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut. Fokusi këtu është gjithmonë në hetimin e krimeve të regjimit iranian”, shtoi ai.

Scholz hodhi poshtë gjithashtu kërcënimet e ministrit të Jashtëm iranian Hossein Amir Abdollahian, i cili paralajmëroi për pasoja për shkak të qëndrimit të Berlinit ndaj Iranit.

“Unë mund t’i them vetëm këtë udhëheqjes në Teheran: çfarë lloj qeverie ju bën nëse qëlloni mbi qytetarët tuaj? Ata që veprojnë në këtë mënyrë duhet të presin që ne të reagojmë”, tha ai.

Scholz ishte përballur me kritika publike në javët e fundit për shkak të mosfoljes kundër shtypjes së protestave në Iran.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like