BERLIN – Mijëra demonstrues kujtojnë Ditën Ndërkombëtare të Gruas

by admin
Spread the love

BERLIN, 8 mars /ATSH-DPA/-  Disa mijëra njerëz dolën sot në rrugët e kryeqytetit gjerman Berlin për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Gruas.

“Në mesditë një demonstratë e organizuar nga një aleancë e sindikatave dhe nismave të komunitetit filloi në Oranienplatz në rrethin Kreuzberg të qytetit me rreth 4 500 njerëz”, sipas një zëdhënëse të policisë.

Dita Ndërkombëtare e Gruas është një festë publike në Berlin. Ajo u organizua për herë të parë në Gjermani dhe vendet fqinje më 19 mars 1911, me sugjerimin e politikanes gjermane socialdemokrate Clara Zetkin. Ajo festohet çdo vit më 8 mars që nga viti 1921.

Pjesëmarrësit kërkuan kushte më të mira jetese dhe pune për gratë.

E shoqëruar me muzikë, protesta marshoi drejt Portës së Brandenburgut. Në bulevardin fqinj Unter den Linden, pritet të marrin pjesë rreth 5 000 njerëz për një tjetër tubim.

Disa demonstrata dhe mitingje të tjera janë planifikuar të mbahen në kryeqytet deri në mbrëmje.

Demonstratat u organizuan gjithashtu nga krahu i majtë radikal në Friedrichshain dhe Kreuzberg, secila me disa qindra njerëz të pranishëm.

Policia i përshkroi ngjarjet e ndryshme gjatë ditës si “të qeta”.

Zëdhënësja e policisë tha se disa qindra oficerë u vendosën në të gjithë qytetin për të shoqëruar tubimet. //a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like