BERLIN – Kriza energjetike ndez debate për funksionimin e centraleve bërthamore

by admin
Spread the love

BERLIN, 23 korrik /ATSH-DPA/ -Ministrja e Jashtme gjermane deklaroi sot se, ajo nuk sheh asnjë arsye për të zgjatur jetëgjatësinë e funksionimit të tre centraleve të fundit bërthamore në vend, pavarësisht krizës energjetike për shkak të luftës së Rusisë në Ukrainë, por qeveria mbetet e ndarë në lidhje me këtë çështje të ndjeshme.

Annalena Baerbock tha se beson se largimi përfundimtar i energjisë bërthamore nga Gjermania në fund të vitit mbetet gjëja e duhur për t’u bërë.

“Sfida jonë nuk është furnizimi me energji elektrike, por me gaz”, tha Baerbock për të përditshmen Bild.

“Unë nuk mendoj se energjia bërthamore është zgjidhja”,tha ajo.

Të Gjelbrit e Gjermanisë kanë kundërshtuar prej kohësh energjinë bërthamore; megjithatë, qeveria e koalicionit trepartiak në të cilën ata bëjnë pjesë nuk është aspak unanime për këtë çështje, e cila është kontestuar ashpër për dekada.

Ministri i Financave ,Christian Lindner, i Demokratëve të Lirë (FDP) tha se ekonomia më e madhe e Evropës duhet të mbetet e hapur për të gjitha burimet e energjisë, duke përfshirë atë bërthamore.

“Në vitet e ardhshme, ne nuk do të kemi energjie elektrike të përballueshme. Kjo është arsyeja pse ne duhet të sigurojmë çdo kapacitet të nevojshëm,” tha ai, sipas grupit mediatik Funke.

Ai tha gjithashtu se përdorimi i energjisë bërthamore do të nënkuptonte mospompimin e mijëra tonëve CO2 në atmosferë.

Për këto arsye, Lindner kërkoi që përdorimi i vazhdueshëm i tre centraleve të mbetura bërthamore për një periudhë të kufizuar kohore të shqyrtohet nga koalicioni me mendje të hapur. //a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like