BERLIN – Gjermania dhe Greqia në favor të rifillimit të marrëveshjes BE-Turqi për refugjatët

by admin
Spread the love

BERLIN, 14 nëntor /ATSH-DPA/ – Gjermania dhe Greqia po mbështesin përpjekjet e Brukselit për të rifilluar marrëveshjen për refugjatët midis Turqisë dhe Bashkimit Evropian, tha sot kancelari gjerman, Olaf Scholz pas një takimi me kryeministrin grek, Kyriakos Mitsotakis, në Berlin.

Scholz tha se marrëveshja ka pasur një efekt pozitiv dhe prandaj duhet të vihet në zbatim dhe të vazhdojë dhe, natyrisht, të zhvillohet më tej.

Kancelari Scholz do të presë të premten në një takim në Berlin presidentin turk, Recep Tayyip Erdoğan.

Scholz tha se bisedimet midis Brukselit dhe Ankarasë lidhur me marrëveshjen për refugjatët po ndiqen nga afër nga Berlini.

Kancelari gjerman tha se Turqia ka pranuar një numër të madh refugjatësh dhe ajo duhet të mbështetet.

“Por, bashkëpunimi në kufijtë detarë dhe tokësorë të Greqisë dhe Turqisë duhet të jetë më efektiv”, tha ai.

“Ne po kërkojmë bashkëpunim me Turqinë në trajtimin e çështjes së refugjatëve”, tha Mitsotakis.

“Në muajt e fundit, është punuar së bashku me autoritetet turke për të kufizuar sa më shumë numrin e anijeve që largohen nga brigjet turke”, tha ai.

Në Greqi, numri i migrantëve të parregullt është rritur sërish këtë vit.

Sipas Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR), rreth 38 500 migrantë kanë udhëtuar nga Turqia në Greqi, dhe BE, deri në fillim të nëntorit, krahasuar me rreth 18 700 persona në vitin e kaluar.

Në kulmin e krizës së refugjatëve në vitin 2016, Turqia arriti një marrëveshje me BE-në për të ndaluar aktivitetet e kontrabandës në kufirin turk dhe për të rikthyer migrantët, kërkesat për azil të të cilëve u refuzuan në Greqi.

Në këmbim, Ankaraja mori miliarda euro nga BE.

Megjithatë, Turqia nuk ka marrë mbrapsht asnjë migrant nga Greqia që nga viti 2020, arsyeja e dhënë në atë kohë ishte shpërthimi i pandemisë së koronavirusit. //a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like