BERLIN – Baerbock i bën thirrje Rusisë t’i japë fund ‘çmendurisë’ në centralin ukrainas

by admin
Spread the love

BERLIN, 15 nëntor /ATSH-DPA/- Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock i ka bërë thirrje Rusisë që të tërheqë trupat e saj nga centrali bërthamor i Zaporizhias, në jug të Ukrainës dhe të ndalojë bombardimin e zonës.

“Kjo çmenduri duhet të marrë fund”, tha Baerbock pas bisedimeve me kreun e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), Rafael Grossi, në Berlin.

“Është e patolerueshme të gjendemi në mënyrë të përsëritur, vetëm një qime floku larg një incidenti bërthamor për shkak të shkatërrimit të linjave të energjisë”, tha Baerbock.

“Sulmi rus ndaj Ukrainës ishte gjithashtu një sulm i paprecedentë ndaj sigurisë bërthamore. Asnjëherë nuk e kishim imagjinuar se një vend mund të ishte kaq i papërgjegjshëm për ta kthyer një central bërthamor në një mjet pazaresh të luftës”, tha ministrja gjermane.

“Një central bërthamor nuk mund të jetë kurrë një objektiv legjitim ushtarak”, tha Grossi.

Në lidhje me programin bërthamor të Iranit, Baerbock i bëri thirrje udhëheqjes në Teheran që të përmbushë detyrimet e saj ligjore ndaj IAEA-s. //a.i/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like