BERLIN – Ambasadori ukrainas: Paqja nuk bie nga qielli!

by admin
Spread the love

BERLIN, 29 dhjetor /ATSH-DPA/ – Ambasadori ukrainas në Gjermani, Oleksii Makeiev, ka bërë thirrje për mbështetje të mëtejshme për vendin e tij për të zmbrapsur pushtimin rus.

“Paqja nuk bie nga qielli. Për të duhet luftuar. Dhe kjo është ajo që ne ukrainasit po bëjmë në emër të të gjithë evropianëve”, u tha Makeiev gazetave të grupit gjerman Funke Media Group.

Si synime për vitin 2023, Makeiev theksoi “çlirimin e plotë të vendit nga pushtuesit rusë, rivendosjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës, kthimin e  bashkatdhetarëve në shtëpitë e tyre, rindërtimin e vendit tonë dhe përparimin e mëtejshëm në integrimin në BE dhe NATO”.

Ai përsëriti gjithashtu thirrjen e tij për më shumë dërgesa armësh “për të shpëtuar edhe më shumë civilë në Ukrainë”.

Kur u pyet për një zgjidhje të mundshme të konfliktit, Makeiev iu referua planit prej 10 pikash të presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, thënë ndryshe “formula e paqes”, që përfshin tërheqjen e plotë të trupave ruse nga territori ukrainas, lirimin e të gjithë të burgosurve të luftës, një gjykatë kundër krimeve ruse dhe garancitë e sigurisë për Ukrainën./   /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like