BE ndan barrën e refugjatëve ukrainas

by admin
Spread the love

Bashkimi Evropian (BE) po përpiqet të sigurojë që refugjatët ukrainas të regjistrohen përmes një sistemi të vetëm në të gjithë BE-në, në mënyrë që barra të ndahet mes të gjitha vendeve anëtare.

Ministrat e Brendshëm të bllokut u takuan në Bruksel për të vlerësuar krizën e refugjatëve të shkaktuar nga lufta në Ukrainë.

Ministeriali u fokusua në procedurat e pranimit dhe regjistrimit të personave që ikin nga Ukraina, mbështetjen materiale për shtetet anëtare dhe sigurinë e refugjatëve.

Ministrat e Brendshëm të BE-së, që i kanë hapur dyert e tyre duke dhënë statusin e mbrojtjes së përkohshme për personat e larguar nga Ukraina, që kur shpërtheu lufta në këtë vend më 24 shkurt, ranë dakord që në vend të regjistrit kombëtar të krijojnë një sistem të vetëm regjistrimi në të gjithë BE-në.

Sipas ministrave me këtë masë synohet reduktimi i keqpërdorimit të mbrojtjes së përkohshme dhe i rrezikut të trafikimit të qenieve njerëzore.

Komisionerja Evropiane për Punët e Brendshme, Ylva Johansson në konferencën e saj për shtyp në fund të takimit, deklaroi se 3,8 milionë ukrainas, gjysma e të cilëve janë fëmijë, kanë hyrë në BE që nga fillimi i luftës.

Numri i refugjatëve që hyjnë në BE ka rënë nga 200.000 në 40.000 në ditë, krahasuar me ditët e para të luftës, por duhet të jemi të përgatitur për gjendje të jashtëzakonshme, tha Johansson.

Duke pretenduar se vetëm Polonia ka pritur 2,3 milionë refugjatë ukrainas, Johansson tha: “Azilkërkuesit duhet të inkurajohen të largohen nga Polonia dhe të kërkojnë azil në shtetet e tjera anëtare. Përndryshe situata nuk do të jetë e qëndrueshme.”

Johansson theksoi se regjistrimi i refugjatëve ukrainas aktualisht bëhet në nivel kombëtar dhe se në të ardhmen do të ketë një platformë për integrimin e këtyre të dhënave.

Platforma synon gjithashtu të sigurojë që njerëzit që përfitojnë nga mbrojtja e përkohshme të mund t’i gëzojnë të drejtat e tyre në të gjitha shtetet anëtare dhe që shtetet anëtare të shkëmbejnë informacione përmes kësaj platforme.

You may also like