BE-ja propozon paketën e tetë të sanksioneve ndaj Rusisë

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

BRUKSEL, 28 shtator /ATSH-AA/ – Bashkimi Evropian (BE) ka propozuar paketën e tetë të sanksioneve kundër Rusisë, duke përfshirë kufizime tregtare dhe çmim tavan për naftën ruse.

Paketa e re e sanksioneve u shpalos nga Presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen, dhe Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Marrëdhëniet me Jashtë dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell.

Duke theksuar se BE-ja nuk do ta njohë referendumin “fals” të separatistëve në Ukrainën Lindore dhe aneksimin e territorit ukrainas nga Rusia, Von der Leyen tha se kërcënimi bërthamor i presidentit rus Vladimir Putin dhe deklarata e mobilizimit kanë rritur tensionet.

Von der Leyen vuri në dukje se për këtë arsye, BE-ja ka përgatitur dhe do të propozojë paketën e tetë të sanksioneve kundër Rusisë, me qëllim dobësimin e ekonomisë ruse.

Sipas paketës së re të sanksioneve të propozuar nga Von der Leyen, e cila duhet të miratohet nga 27 vendet anëtare të BE-së për zbatim, në listën e sanksioneve do të shtohen disa individë dhe organizata, si dhe disa kufizime në tregtinë dhe importet e naftës.

Kufizimet e importit dhe eksportit

Si pjesë e kësaj mase, do të ndalohet importi i disa mallrave ruse. BE-ja llogarit se Rusisë do t’i hiqen 7 miliardë euro të ardhura, sepse këto mallra, detajet e të cilave nuk janë ende të disponueshme, nuk mund të hyjnë në tregun evropian.

Përveç kësaj, do të vendosen kufizime për eksportin e disa mallrave të BE-së në Rusi. Në këtë mënyrë synohet të privohet ushtria ruse nga teknologjitë jetike në fushën ushtarake. Këto mallra përfshijnë materialet e aviacionit, komponentët elektronikë dhe kimikatet.

Paketa e sanksioneve, e cila përfshin edhe sektorin e shërbimeve, gjithashtu ndalon qytetarët e vendeve të BE-së të marrin pjesë në menaxhimin e kompanive publike në Rusi.

 Çmim tavan për naftën

Duke theksuar se paketa e sanksioneve përfshin edhe naftën ruse, Von der Leyen tha: “Rusia po përdor fitimet nga shitja e lëndëve djegëse fosile për të financuar luftën”.

Ajo kujtoi se në përputhje me paketat e sanksioneve të miratuara më parë, transporti i naftës bruto nga Rusia në BE u ndalua nga 5 dhjetori, duke shtuar se janë të vetëdijshëm se disa vende në zhvillim kanë nevojë për burime nafte ruse me çmim të ulët.

Von der Leyen po ashtu kujtoi G7 kishte rënë dakord në parim për të vendosur një çmim tavan për naftën ruse për vendet e treta.

“Çmimi tavan naftës do të ndihmojë në uljen e të ardhurave të Rusisë nga njëra anë dhe për të mbajtur tregun global të energjisë të qëndrueshme, nga ana tjetër”, vlerësoi shefja e Komisionit Evropian.

“Me këtë paketë, ne vendosim bazën ligjore për vendosjen e një çmimi tavan për naftën ruse”, tha Von der Leyen.

BE-ja synon të parandalojë anashkalimin e sanksioneve

Von der Leyen deklaroi se gjithashtu kanë ndërmarrë hapa të rinj kundër anashkalimit të sanksioneve, duke shtuar: “Këtu po shtojmë një kategori të re. Në këtë kategori do të mund të listojmë individët që i shmangin sanksionet tona”.

Ajo shpjegoi se individët që blejnë produkte nga BE-ja dhe i dërgojnë në Rusi përmes vendeve të treta, do të konsiderohen si shmangës të sanksioneve të BE-së, duke shtuar se personat e përfshirë në veprimtari të tilla po ashtu mund të bëhen pjesë e listës së personave të sanksionuar.

Personat dhe organizatat që do të sanksionohen

Ndërkaq, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së Borrell deklaroi se kanë zgjeruar listën e personave dhe organizatave që do të sanksionohen.

Borrell tha se lista përbëhet nga persona që kishin rol në “pushtimin dhe aneksimin e tokave të Ukrainës nga Rusia”, mes tyre zyrtarë të lartë ushtarakë, vendimmarrës, disa oligarkë dhe propagandues.

Borrell deklaroi se synojnë t’u japin “përgjigje të drejtpërdrejtë atyre që përshkallëzojnë luftën duke rekrutuar 300.000 njerëz”.

Ai deklaroi se në shënjestër të sanksioneve janë zyrtarë të cilët janë “delegatë të Rusisë” në Donetsk, Luhansk, Kherson dhe Zaporizhzhia, dhe personat që organizojnë referendume të rreme në këto katër rajone të Ukrainës. Borrell deklaroi se listës do t’i shtohen disa individë nga sektori i mbrojtjes.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like