BE-ja fiton më shumë sesa Ballkani nëse e mbyll gjeografikisht veten në anën jugore

by admin
Spread the love

Profesori i shkencave politike, Nezir Kraki, ka thënë se me integrimin e Ballkanit në Bashkimin Evropian, kjo e fundit do të fitojë më shumë, pasi mundësohet përmbushja e kufijve të saj gjeografikë në pjesën jugore të Evropës.

“Ballkani duhet të prezantohet si mundësi për BE-në, sepse BE-ja më shumë fiton nëse e mbyll gjeografikisht veten në anën jugore të saj sesa Ballkani, sepse ballkanasit janë pak në numër. S’mund të flitet për integrimin e 45 milionë ukrainasve në procedurë të shpejtë pa u sqaruar fati i Ballkanit, janë dy momente të njëjta por që duhet të ndodhin… Ky moment i ri e obligon edhe Francën edhe vendet e tjera të shohin çështjen e zgjerimit, apo mbylljen e BE-së, nëse ata lejojnë vrima të zeza brenda zonës evropiane dhe janë të kërcënuar automatikisht”, tha Kraki në Info Magazinë në Klan Kosova.

Ai tha se Kosova nuk duhet të humbasë mundësinë pas zgjedhjes së Makronit në krye të Francës.

“Kosova ka humbur shumë momente, ajo ka humbur të gjitha mandatet sa ishte Angela Mergel në Gjermani, andaj Kosova nuk guxon në asnjë rast, për asnjë arsye, ta humbë edhe këtë mandatin pesëvjeçar që sapo nisi në Francë, sikurse nuk guxon ta humbë mandatin e fundit amerikan që ka lidhje historike me Kosovën dhe çështjen tonë”, shtoi ai.

Kraki tha se vizat janë vetëm çështje teknike sepse mund të sqarohet e risqarohet edhe një herë në mënyrë të thjeshtë sepse, sipas tij, kjo çështje është politizuar në mënyrë të padrejtë.

“Është çështje krejt teknike, e cila nga Mogerini u politizua dhe u vendos si një lloj karote në bisedimet në Bruksel pa arsye”, vazhdoi ai.

“Në këtë aspekt, sapo Franca ta mbyllë ciklin e zgjedhjeve legjislative në qershor, do të nisë një fazë e re dhe do të konfirmohet kjo dinamika e re evropiane pro Evropës, e cila e ka përfshirë Evropën dhe në të cilën Franca është shumë e përfshirë dhe është motor në këta muajt e fundit”, theksoi ai.

Ai madje tha se ende nuk ka ndodhur momenti konkret, ku në një mbledhje të ministrave të brendshëm të BE-së të diskutohet liberalizimi apo suprimimi i vizave për kosovarët.

“Nuk ka ardhur ende deri te ajo pikë për të ditur kush është kundër e kush për, ia kemi vendosur fajin veç Francës, por në mesin e shteteve anëtare janë disa vende që hezitojnë”, shtoi Kraki.

You may also like