Bashkëpunimi me PD, Taulant Balla flet me bindje: Do të ngremë sa më shpejt “Zgjedhoren”, nuk e lëmë me kaq

by admin
Spread the love

Bashkëpunimi PD-PS tashmë është fakt konkret dhe i pamohueshëm. Syri Televizion, zbardhur mesazhin e kryedemokratit Lulzim Basha, ku udhëzonte grupin parlamentar përmes whatsAppit që të votonin pro marrjes së borxhit 700 mln euro. Disa minuta më pas, në vazhdimësi të këtij komunikimi të njëanshëm, Basha korrigjoi mesazhin e mëparshëm dhe në vend të votës “pro”, kërkoi votë abstenuese.

Kjo për të zbutur disi furtunën që do të vërtitej mbi PD dhe deputetët e nësaj nëse do të bashkonin votat me Ramën, për të zhytur Shqipërinë akoma edhe më shumë në borxh, në një kohë kur nuk është e qartë se cili është destinacioni i milionave që do të merren përmes eurobondit. Mirëpo, socialistët shkojnë edhe më tej, duke shfaqur hapur pikëpamjen e tyre për opozitën, të cilën tashmë e konsiderojnë partnere. Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla është shprehur se bashkëpunimi me opozitën do të vijojë si dhe do të ketë dialog mes palëve.

Balla shprehet se javën e ardhshme pritet të ngrihet edhe Komisioni për Reformën Zgjedhore, kërkesë kjo e opozitës. Të enjten u miratua në Kuvend komisioni hetimor për Inceneratorët, edhe ky propozim i opozitës. Ndërkohë që është ngritur prej disa ditësh dhe ka zhvilluar mbledhjet e para hetimi i 25 prillit.
Tashmë, bashkëpunimit PD-PS i mungon vetëm zyrtarizimi, por edhe kjo nuk do të vonojë pasi të miratohet (me shumë gjasa brenda 1 apo dy jave) Vettingu në politikë dhe zgjatja e mandatit të komisionit të Vettingut në Drejtësi.

Edhe deklarata e Taulant Ballës, është një tjetër garanci se “punët” mes Bashës dhe Ramës, po shkojnë mirë dhe se ata e kanë gjetur gjuhën e përbashkët. Pjesa tjetër, ajo e dukshmja në sallën e Kuvendit, është teatri që po luhet mes të dyve. E vërteta e gjithçkaje del në pah mes rreshtave të deklaratës së Taulant Ballës, ku kuptohet qartë se palët mazhorancë-opozitë nuk kanë ndërmend ta lënë me kaq partneritetin mes tyre.
Ky është vetëm fillimi.

Kuvendi i Shqipërisë është vendi i dialogut politik. Dëshiroj dhe dua të shpreh gatishmërinë e PS dhe grupit të saj parlamentar, se disponibiliteti ynë për dialog dhe gatishmëria jonë për të bashkëpunuar për çështje që lidhen jo vetëm me punën parlamentare por me reforma të duhen çuar para, është i pakursyer. Asaj që ju i referoheni, përmes grupeve parlamentare në Kuvend ka dialog.

Ne kemi diskutuar në Konferencën e kryetarëve me përgjegjshmëri për të zhbllokuar çdo lloj ngërçi që krijohet përgjatë punës, qoftë në komisionin e posaçëm që ju i referoheni. Besoj se kjo punë e mirë që po vijon, kjo klimë dialogu konstruktiv duhet të vazhdoje. Secila palë ka axhendën e vetë, por ajo që dua të apeloj sot është që gjithçka mund ta zgjidhim përmes uljes në një tryezë për të gjitha çështjet. Javën e ardhme do të kemi besoj miratimin për ngritjen e Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore. Ne jo vetëm që kemi dakordësinë e plotë për ngritjen e komisionit, por do të prezantojmë dhe përbërjen e këtij komisioni nga ana e PS.

Ju kujtoj se komisionet e posaçme kanë formulën e bashkëdrejtimit, një nga PS dhe një nga PD. Besoj se PD do të jetë gati brenda ditës së martë që të diskutojmë për të ngritur sa më shpejt komisionin e Posaçëm të Reformës Zgjedhore. Ne duhet ta institucionalizojmë këtë moment të rëndësishëm për këto çështje që duhen diskutuar. PD ka ardhur me disa propozime konkrete, për të cilat Rama dhe unë e kam thënë, ne jemi 100% të hapur për të diskutuar çështjet, pa asnjë lloj pengese dhe parakushti.

Por duhen ndjekur procedurat parlamentare. 39 deputetë te PS kanë propozuar një ndryshim kushtetutës që lidhet me kohëzgjatjen e afatit te institucioneve të vettingut, me qëllim që ky proces të përfundojë. Thirrja ime është për grupet parlamentare të opozitës, që t’i miratojmë këto ndryshime sa më shpejtë. Miqtë tanë ndërkombëtarë bëjnë thirrje që të miratohen këto ndryshime deri në fund të këtij sesioni parlamentar”, shprehet Balla në fjalën e tij.

You may also like