Barça minimaliste, 80% e fitoreve me një gol

by admin
Spread the love

Barcelona e ka bërë ekonominë e luftës mënyrën e saj të jetesës në pjesën e parë të sezonit. Katalanasit, të zhytur në një proces rikonstruksioni për një kohë të gjatë janë parë dukshëm në vështirësi në këtë sezon.

Skuadra shënon më pak se vjet dhe diferenca e madhe është se po pëson më shumë se sezoni i kaluar. Një politikë shtrënguese që i ka detyruar ata të jenë të zgjuar në çështjet ekonomike, për të kërkuar formula për të mbetur konkurrues në treg pavarësisht kufizimeve financiare. Kështu, klubi katalanas ka mundur të ketë një skuadër konkurruese, sidomos në dy sezonet e fundit. Vitin e kaluar ata ishin në gjendje të fitonin titullin në La Liga.

Këtë sezon gjërat nuk po duken aq mirë, me skuadrën në vështirësi për të zgjidhur ndeshjet. Madje, edhe përballë Almerias, skuadrës më të dobët në futbollin spanjoll në 25 vitet e fundit. Problemi është se kjo filozofi e mbijetesës me minimumin që mbizotëron në politikën ekonomike të klubit duket se e ka infektuar ekipin. Të besuarit e Ksavit kanë qenë në lëvizje gjatë gjithë sezonit, duke fituar shumicën e ndeshjeve me shpirt ndër dhëmbë.

Ka një statistikë që e bën shumë të qartë se çfarë është Barcelona në këtë sezon. 80 për qind e fitoreve të katalanasve në këtë sezon kanë qenë me një avantazh të vetëm gol, 12 nga 15 fitoret që ka regjistruar skuadra deri më tani. Sezonin e kaluar u fol shumë për “Unocerismo”-n (1-0) e Barçës së Ksavit, por këtë sezon është shumë më i theksuar. Këto shifra nuk mund të krahasohen. Sezonin e kaluar, Barça e përfundoi me 48.5 për qind të fitoreve të saj me vetëm një gol avantazh. Pak më shumë se gjysma e këtij viti.

Çuditërisht, avantazhi tjetër që “cules” kanë përsëritur më shumë këtë sezon janë pesë gola. Triumfet kundër Real Betis dhe Antverpit në fillim të sezonit përbëjnë 13.3 për qind të fitoreve të tyre këtë sezon. Pikërisht ai 5-0 ndaj belgëve në Champions më 19 shtator ishte hera e fundit që katalanasit fituan një ndeshje me më shumë se një gol diferencë.

LEDJO SEFERKOLLI-PANORAMASPORT.AL

You may also like