Barça dhe Reali me dëshira të ndryshme në merkato. Katalanasit duan një “Gavi”, madrilenët një mbrojtës

by admin
Spread the love

Në këtë periudhë festive nuk janë vetëm fëmijët që presin apo kërkojnë dhurata nga “babagjyshi” i vitit të ri. Edhe trajnerët e ekipeve të kampionatit spanjoll kërkojnë dhe ata dhuratat e tyre që përkthehen në nënshkrime lojtarësh të domosdoshëm për pjesën e dytë të sezonit.

Në këtë rast zakonisht ndodh e kundërta, nëse janë sjellë mirë dhe po bëjnë detyrat e shtëpisë, përforcimet janë më pak të rëndësishme sesa për ato klube që nxitojnë në gjysmën e dytë të sezonit. Nga 20 klubet e La Ligas, vetëm katër klube (Atletik Bilbao, Las Palmas, Real Sociedad dhe Rajo Vajekano) duket se do të qëndrojnë jashtë merkatos së dimrit. Shumë trajnerë kanë nevojë për fytyra të reja në përpjekje për të përmbushur objektivat që shefat e tyre kanë vendosur në fillimin e sezonit. Për të tjerët, nevojat vijnë si një ilaç i detyrueshëm për të kompensuar dëmtimet e mungesat.

BARCELONA DHE “FAIR PLAY”-I – Barcelona, përveç Vitor Rokes që ka mbërritur tashmë, nuk përjashton ardhjen e një mesfushori për të kompensuar mungesën e Gavit të dëmtuar. Por klubi e ka të qartë se misioni nuk do të jetë i lehtë për shkak të kufizimeve nga “fair play”-i financiar. Në rast se nuk ka gjasa që plani A të realizohet, Barça do të kalojë në planin B me huazimet.

REALI DHE MBROJTJA – Dëmtimi i Alabasë e ka detyruar Realin të shihet ndryshe në pasqyrë. Për momentin zgjidhja që Ançeloti i ka dhënë problemit në qendër të mbrojtjes është zhvendosja në këtë rol e mesfushorit Orelië Tçuameni. Por në Madrid e kanë të qartë se nuk mund të luajnë shumë me zjarrin. “Infermieria e bardhë” ka nisur të zbrazet pak para Superkupës së Spanjës. Por problemi në qendër të mbrojtjes, kërkon më shumë se një zgjidhje emergjence.

GIRONA PËR NJË MESFUSHOR – Bashkëkryesuesit e La Liga-s nuk kanë nevoja urgjente për t’u përforcuar në merkaton e dimrit. Por përgjegjësit e merkatos janë në kërkim të një mesfushori për shkak të historisë së dëmtimeve të Jangel Herrerës, mungesa e të cilit ndihet jo pak kur nuk është në mesfushë. Natyrisht, nëse një lojtar i rëndësishëm për Miçelin largohet, klubi do të duhet të manovrojë dhe të kërkojë një zëvendësues.

PANORAMASPORT.AL

You may also like