BANGKOK – Xi: Shpresoj për marrëdhënie më të mira me SHBA

by admin
Spread the love

BANGKOK, 19 nëntor /ATSH-DPA/ – Kreu i shtetit dhe Partisë Komuniste të Kinës, Xi Jinping tha se shpreson për marrëdhënie më të mira me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në një takim me nënpresidenten e SHBA, Kamala Harris në kuadër të samitit të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC) në Bangkok, Xi e përshkroi një takim me presidentin Joe Biden, në fillim të javës, si “strategjik dhe konstruktiv”, sipas televizionit shtetëror kinez.

Transmetuesi shtetëror kinez CCTV citoi Xi të ketë thënë se ”takimi me Biden në Bali do të jetë një udhërrëfyes i rëndësishëm për fazën e ardhshme të marrëdhënieve SHBA-Kinë”.

“Shpresoj që të dyja palët të rrisin më tej mirëkuptimin e ndërsjellë, të zvogëlojnë keqkuptimet dhe llogaritjet e gabuara dhe së bashku të promovojnë marrëdhëniet Kinë-SHBA në një rrugë të shëndetshme dhe të qëndrueshme”, citohet të ketë thënë Xi.

Udhëheqësi kinez tha gjithashtu se shpresonte që Harris “do të luante një rol aktiv për këtë qëllim”.

”Takimi u zhvillua me kërkesë të palës amerikane”, theksoi televizioni shtetëror.

Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha vetëm se Harris kishte një “përshëndetje të shkurtër” me Xi përpara se të bashkohej me diskutimet në samitin e APEC-ut.

Harris përsëriti mesazhin e Biden se ”kanalet e komunikimit midis Kinës dhe SHBA-së duhet të mbeten të hapura për të menaxhuar me përgjegjësi konkurrencën midis vendeve tona”./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like