“Ballkani i Hapur” apo i mbyllur?

by admin
Spread the love

“Ballkani i Hapur” lindi si “tren i shpejtë” për përcaktimet e Berlinit të ngadalshëm me sponsorim indirekt amerikan, që në fokus kishte krijimin e realiteteve të favorshme për njohjen faktike mes Serbisë dhe Kosovës dhe relaksimin e gjithë rajonit. Por, kjo u prit negativisht nga Kurti, i cili më pas do e dëshmojë antiamerikanizmin e vet edhe në operacione të tjera kritike për Kosovën, duke dëshmuar se shtetit mund t’i bëhet e keqja më e madhe në emër të së mirës!

Shkruan: Mersel BILALLI, Gostivar

Ditë më parë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, për Euronews-in shqiptar tha se nisma e Ballkanit të Hapur erdhi nga nevoja për të përmirësuar Procesin e Berlinit dhe se ai përmbushi misionin për të cilin lindi dhe shtoi se “tani duhet të zhytemi me kokë” në Procesin e Berlinit”. Në fakt “Mini-Shengeni” e, më pas, “Open Ballkani” nisej nga logjika e integrimeve europiane në një treg të përbashkët të shteteve të armiqësuara, e cila eliminon shkaqet e luftës. Nga kjo logjikë edhe u krijua Procesi i Berlinit që në vitin 2014 (vazhdoi pastaj çdo vit diku tjetër – Vjenë, Paris, Trieste, Londër, Poznan, Sofje, Romë, Podgoricë dhe, në tetor të këtij viti, në Tiranë).

Në fakt, në rajonin e Ballkanit Perëndimor ekzistojnë dhjetëra iniciativa integruese – Zona Rajonale Ekonomike (REA); Këshilli Rajonal për Bashkëpunim (RCC); Marrëveshja për Tregti të Lirë (CEFTA); Procesi i Berlinit dhe, së fundi, “Ballkani i Hapur”, që tani synon të mbyllet. Duket se, mes disa të këqijave, gjithmonë zgjedhim atë që ende nuk e kemi provuar! Për vite të tëra, shumica e veprimeve nga këto organizata koordinoheshin përmes Procesit të Berlinit, ku janë të përfshira të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor (Shqipëria, Serbia, BeH, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Kosova).

Destinacioni i gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor vazhdon të mbetet Brukseli, por është fakt se kjo dëshirë e tyre në vazhdimësi po largohet konform dinamikës defetiste drejt këtij klubi. Mali i Zi po bisedon me BE-në për 11 vite dhe akoma s’e ka përfunduar as çerekun e punëve. Serbia po bisedon tetë vite dhe akoma askund s’ka arritur! Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut e kanë në xhepat e tyre pëlqimin për t’i nisur negociatat efikase për anëtarësim që nga viti 2019, por sikur një fat i keq i përcjell këto! Para një viti, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i zhgënjyer nga premtimet boshe pat thënë: “Ndihemi si në një dasmë ku nusja zbukurohet, por dasmorët as që janë ftuar”. Si duket, as miliardat e premtuara nga BE-ja nuk mundën ta përmirësojnë buzëqeshjen e thartuar të liderëve të Ballkanit Perëndimor. Duket se nga premtimet aq boshe të BE-së s’kanë dëshpërim vetëm ata që nga ajo nuk presin gjë. Rama, me të drejtë, mendon se Shqipëria mbetet peng i një sherri mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut. Bullgaria, për disa vite, e ka bllokuar fillimin e bisedimeve me Shkupin, duke pretenduar se Maqedonia e Veriut po e vjedh identitetin, historinë dhe gjuhën e saj.

Ka shumë vende edhe brenda vet Bashkimit Europian, që këtë mosmarrëveshje mes Shkupit dhe Sofjes e konsiderojnë si mbeturinë nga shekujt e kaluar, por s’duan ta prishin rahatinë e tyre, aq më pak ta ngarkojnë tryezën e tyre të përbashkët edhe ashtu të përçarë me specialitete ballkanike pa kurrfarë shije. Kundërshtarët e zgjerimit, të cilëve ky proces e duket si spec shumë djegës, zënkat ndërfqinjësore i përjetojnë si një desert i mirë që e rehaton barkun e tyre të ngopur me zgjerime të pamerituara.

Por, pesimizmi në Ballkanin Perëndimor, arsyeshëm, pritej të prodhojë një opinion tjetër, pasi ai gjatë kohë ndjehej si një grua e tradhtuar, që në çdo moment nga inati mund të përfundojë në shtratin e ndonjë rrugaçi. Nga Samiti i Selanikut 2003 e këndej, gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor u mbetet çdo vit t’i numërojnë trenat për në Bruksel që assesi të ndalojnë. Që ta zbusë pesimizmin, Gjermania e shpiku Procesin e Berlinit. Për herë të parë më 2014 Angela Merkel e nisi procesin inkurajues me Samitin e Berlinit. Tani Shqipëria pret një samit që do të mbahet në Tiranë në tetor të këtij viti. “Është një samit jashtëzakonisht i rëndësishëm, ndërsa përgatitemi për një hap të rëndësishëm përpara… Ndërsa ne duhet të fokusohemi në këtë, natyrisht, Procesi i Berlinit është boshti ynë kryesor. Nisma e “Ballkanit të Hapur” ka lindur nga nevoja për të çuar përpara Procesin e Berlinit dhe ka përmbushur misionin për të cilin ka lindur. Tani duhet të angazhohemi plotësisht në Procesin e Berlinit, sepse e kemi këtë mundësi”, i tha Rama Euronews-it të Shqipërisë.

Pra, “Ballkani i Hapur” lindi si “tren i shpejtë” për përcaktimet e Berlinit të ngadalshëm me sponsorim indirekt amerikan, që në fokus kishte krijimin e realiteteve të favorshme për njohjen faktike mes Serbisë dhe Kosovës dhe relaksimin e gjithë rajonit. Por, kjo u prit negativisht nga Kurti, i cili më pas do e dëshmojë antiamerikanizmin e vet edhe në operacione të tjera kritike për Kosovën, duke dëshmuar se shtetit mund t’i bëhet e keqja më e madhe në emër të së mirës!

Stabiliteti rajonal

Ekspertët botërorë dhe praktika e deritanishme tregojnë se nismat për tregun rajonal jo vetëm që kanë ndikim tejet pozitiv për procesin eurointegrues (madje janë kompatibil më të), por ato pacifizojnë dhe relaksojnë rajonin, duke mundësuar dukshëm më lehtë të zgjidhen konfliktet shekullore mes tyre. Përndryshe, ai që nuk e shëron të keqen, mundëson përsëritjen e saj. Njëherazi, shtetet e rajonit synojnë të përmbushin bashkërisht kushtet e parapara për anëtarësim në BE. Në fakt, këto procese integruese rajonale bëjnë një ecje më shpejt në drejtim të BE-së, veçanërisht tani kur BE-ja ndeshet me shumë probleme brenda dhe jashtë tij. Mendim të ngjashëm shpreh profesori Florian Bieber, anëtar i Grupit Këshillues të Politikave të Ballkanit në Europë (Balkans in Europe Policy Advisory Group – BiEPAG), duke vënë në dukje se “’Ballkani i Hapur’ është një nismë e mirë dhe është vështirë të shohësh diçka të keqe në të. Do të ketë kuptim vetëm nëse përfshin jo vetëm tre, por të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. Veçanërisht e çuditshme që Kosova të mos jetë pjesë e nismës, pasi ajo është e rrethuar nga tre nënshkruesit” – thotë Bieber. Mbetja e saj jashtë rajonit nënkupton izolim ekonomik të saj, kurse ndërkohë akoma më shumë do krijohet distance me Serbinë.

Që nga viti i kaluar, komandanti i forcave amerikane për Europë, gjenerali Curtis Scaparrotti, para Komitetit të Forcave të Armatosura të Senatit amerikan pat thënë se SHBA-ja dhe NATO-ja janë duke punuar së bashku për t’iu përballur kërcënimeve të mëdha ndaj sigurisë europiane, duke përmendur ekstremizmin e dhunshëm dhe tendencat ruse për ta destabilizuar Ballkanin. “Moska, edhe tani kur lufton me Ukrainën, aspak nuk i sheh mirë integrimet dhe bashkëpunimin e vendeve të Ballkanit. Ajo ka shtuar përpjekjet e saj për ta zgjeruar ndikimin në rajon, veçanërisht duke manipuluar me Serbinë dhe serbët e Bosnjës. Rusia po përpiqet të nxisë trazirat në Ballkan përmes fushatave dezinformuese që synojnë indoktrinimin e popullatës lokale.” – kishte thënë atëherë gjenerali para Senatit. Kurse raportuesi i Parlamentit Europian për Serbinë, David McAllister, pat theksuar se “vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të përfshihen menjëherë në vendimmarrje në BE dhe sa më shpejt që është e mundur ato të përgatiten për anëtarësim në BE, sepse përndryshe mund të bien në ndikimin e shteteve të tjera.” Madje, edhe kryeministri shqiptar Rama para do vitesh e pat akuzuar opozitën shqiptare se kishte marrë financa të dyshimta nga Rusia.

Liderët shqiptarë duhet ta kenë parasysh se cila fuqi botërore për momentin ka interes ta integron rajonin, e që tani për tani nuk eksponohet gjer në shfryrjen e kundërshtimeve të brendshme emocionale e politike. Dihet se këtë iniciativë të integrimit rajonal, pos Gjermanisë, fuqishëm po e përkrah edhe Banka Botërore, e pas saj dihet se kush qëndron. Eskobari e tha qartë se duhet bërë apel edhe te tre vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor për inkuadrim. Andaj do doktorë shkence, që nuk hezitojnë kryeministrit shqiptar t’i ngjisin etiketa të rënda, shpejt do të mbeten si peshku në të thatë. Ne kemi një situatë në Malin e Zi ku ka një polarizim i madh. Në BeH, për një kohë të gjatë, marrëdhëniet midis dy njësive janë tejet të tendosura. Plagët mes Serbisë dhe Kosovës vazhdojnë të gjakosin. Thuajse këto probleme më lehtë do të zgjidhen në kushte të acaruara rajonale?!

Fundja, këto vende duhet rreshtuar aty ku udhëzojnë partnerët strategjikë, pa të cilët nuk do ekzistonin as si komb e as si shtete. Shqipëria vetë nuk do të kishte mbijetuar si shtet i ri pas shpalljes së pavarësisë nëse nuk do ta kishim, përveç tjerash, aktin e marrjes nën mbrojtje nga presidenti i atëhershëm i SHBA-së, Woodrow Wilson, dhe Austro-Hungaria. Sikundër që Kosova nuk do të ishte sot shteti i dytë shqiptar në Ballkan pa ndërhyrjen ushtarake të NATO-s kundër makinerisë ushtarake të Millosheviqit. Serbia e di mirë se është e rrethuar me anëtare të NATO-s dhe bën atë që më së miri është për të në këso rrethanash. Ajo bën politikën që mundet, pasi e di se çdo veprim tjetër do i kushtojë katastrofë.

Gjeopolitika madhore

Gjeopolitikës madhore kundërshtare sikur i pëlqejnë kundërshtitë rajonale. Tani shihet qartë se vendet e fuqishme në botë pretendojnë ndikimet gjeopolitike të tyre në rajon. Madje, për këtë qëllim harxhojnë mjete të majme financiare. Kryeministri letonez, Arthurs Karins, vendi i të cilit jeton në stres frike nga Rusia, kohë më parë pat thënë: “Ose Europa do ia japë dorën Ballkanit ose dikush tjetër do e bëjë atë!”. Ai aludonte në përpjekjet e Rusisë për të fituar një terren më të volitshëm në Ballkanin Perëndimor përmes financimeve të zeza dhe ndikimeve politike.

Të gjitha analizat flasin se po të mos fillonte njëfarë integrimi rajonal, rajoni jo vetëm që s’do të qetësohet e zhvillohet, por më së paku që mund t’i ndodhë është tensionimi, stagnimi ekonomik dhe boshatishja e popullatës. Këtu shqiptarët mbajnë rekordin rajonal. Mos të harrojmë se mu për shkak të mungesës së interesimit për zhvillim (gjë, e cila as që pritej nga garnitura deri në fyt të korruptuara), sot Shqipëria ka 900 mijë banorë më pak se 30 vjet më parë. Në Maqedoni të Veriut, popullata rezidente shqiptare (që efektivisht jeton në këtë shtet) është gati e përgjysmuar. Regjistrimet politike tregojnë se sa shtetas jemi, por me mjeshtri fshihet numri i saktë i popullatës rezidente!

Pala amerikane ka sponsorizuar një memorandum që ka të bëjë me trafikun hekurudhor ballkanik. Këtu përfshihet edhe një studim i fizibilitetit për lidhje hekurudhore Beograd-Prishtinë, duke përfunduar në portet shqiptare. Përgjithësisht, inkuadrimi kompatibil infrastruktural rajonal në rrjetin europian TEN-T, do ta bënte bregdetin shqiptar një epiqendër të disa korridoreve rajonale të Ballkanit Perëndimor. Kjo gjë jo vetëm që akoma më shumë do i integronte shqiptarët në rajon, por aq më tepër ata do t’i shndërronte në faktorë kyç infrastruktural të Korridorit 8, 10 e 11, kurse përmes “Transverzales Jugore” dhe “Rrugës së Kombit” do i lidhte me shumë segmente të korridoreve tjera rajonale, me çka portet e Durrësit dhe Shëngjinit do të shndërroheshin në porte të fuqishme strategjike rajonale.

Për dinamizimin e integrimit rajonal, Komisioni Europian planifikon rreth nëntë miliardë euro grante në vitet në vijim, që së bashku me SHBA-në do të siguronin një shumë prej rreth 30 miliardë euro për investime private për ta përmirësuar situatën ekonomike në rajon. Prodhimi i këtij rajoni aktualisht, tani për tani, arrin vetëm një për qind të PBB-së së BE-së.

Në Samitin e Procesit të Berlinit në Trieste, temë kryesore pat qenë krijimi i një tregu të përbashkët për Ballkanin Perëndimor. Qëndrimet dallonin nga ajo se ai është i Serbisë, deri te ajo se kjo do ishte një interes i përgjithshëm rajonal për zhvillim të përbashkët, e që njëherazi do ta forconte sigurinë rajonale. Disa analistë serbë ishin të mendimit se në kushte të një “bashkimi” të tillë tregtar, Kosova faktikisht do të njihej edhe nga Serbia, pasi do të ishte palë e barabartë e Marrëveshjes për Tregti të Përbashkët. Njëherazi kjo kategori e analistëve mendojnë se këtu ndikimi rus do të dobësohej tepër. Udhëheqësia e Republika Srpska-s (në BeH) ishte kundër një unioni të tillë, sepse ajo nënkupton fund i aspiratave të saj për t’u ndarë nga BeH. Shqipëria i jep mbështetje këtij unioni, sepse do të jetë në mesin e faktorëve më relevantë të tij. Ajo pret një zhvillim të madh të saj, veçanërisht në infrastrukturë dhe turizëm. Kosova ishte kundër këtij tregu, pasi që mendojnë se fjalën kyçe atje do e kishin serbët, ndërsa edhe buxheti i saj do të mbushej më shumë nga doganat e përbashkëta. Maqedonia e Veriut jep mbështetje paraprake, por akoma nuk ka llogaritur se sa do përfitonte nga tregu. Mali i Zi jep mbështetje, edhe pse ekziston mendimi se ata janë shumë më para në rajon sa i përket integrimit në BE. Pjesa joserbe e BeH-së i jep mbështetje të fuqishme tregut të tillë, sepse kjo e fuqizon sigurinë e saj.

Tregu i përbashkët i vendeve të Ballkanit Perëndimor edhe deri më tani ka funksionuar në kuadër të CEFTA-s, si tregti e lirë, por tani synohet që tregu të hapet plotësisht. Subjektet tregtare, të cilitdo shteti anëtar do të kishin kushte të njëjta veprimi në mbarë unionin doganor. Madje, edhe CEFTA, me gjitha pengesat e saj, ka mundësuar që eksporti brenda të gjitha shteteve anëtare të rritet për 75 për qind. Sipas FMN-së, produkti i përgjithshëm i brendshëm i këtyre vendeve tani ka arritur në 243.5 miliardë dollarë. Njëherazi, tregu prej rreth 18 milionë banorësh do të joshte investitorë të huaj. Dukshëm do të zvogëlohej papunësia, ikja e talentëve dhe njëherazi do të forcohej aftësia konkurrente.

Dyshimet janë të paarsyeshme, pasi që një union i tillë tregtar nuk do të ketë organe të vetat (parlament, qeveri, gjyqësor etj.), por vetëm marrëveshje rajonale të përkohshme deri në anëtarësim në BE, kur automatikisht do të shuhej. /revistashenja

You may also like