Azemi (LDK): Mosveprimi i Qeverisë Kurti, arsyeja e thellimit të krizës energjetike në Kosovë

by admin
Spread the love

Anëtari i LDK-së, Visar Azemi, ka dhënë doza kritike ndaj qeverisë aktuale nën drejtimin e Albin Kurtit.

Sipas tij, mosveprimi i kësaj qeverie, mbetet arsyeja kryesore pse qytetarët ballafaqohen edhe sot me mungesë të energjisë elektrike, përcjell klankosova.tv.

”Siguria dhe stabiliteti ynë energjetik ka shumë aspekte, por mosveprimi i qeverisë Kurti është sot arsyeja kryesore pse nuk kemi furnizim të mjaftueshëm dhe të përballueshëm me energji elektrike.

Dështimi i qeverisë për të investuar në infrastrukturë të re energjetike ka kontribuar në thellimin e krizës energjetike.

Kjo qeveri ka dështuar të trajtojë infrastrukturën e vjetër të energjisë dhe kjo do të çojë në ndërprerje dhe mungesë të energjisë elektrike. Për më tepër, kjo qeveri, siç e pamë edhe në strategjinë e re të energjisë, nuk inkurajon zhvillimin e burimeve alternative të energjisë, duke rritur kështu varësinë tonë nga burimet dhe importet e kufizuara, dhe duke çuar në rritje të çmimeve dhe ndërprerje të furnizimit”.

Me tjerash, Azemi shkruan që edhe pse me 51%, Qeveria Kurti, nuk solli as strategji të energjisë, e as ndonjë plan veprimi e investime në gjenerim, përcjell klankosova.tv.

”Pra, qeveria e 51 përqindëshit, për dy vite në pushtet, nuk arriti as të ketë strategji të energjisë, as plan veprimi e as investime në gjenerim të kapaciteteve të reja. Sot energjinë elektrike e paguajmë shumë më shtrenjtë se para dy viteve dhe jemi në prag të një shtrenjtimi tjetër.

Këtij pasiviteti në qeverisje po t’ia shtojmë edhe dështimet në proceset e prokurimit për remont të bllokut të termocentralit Kosova A, del se kjo qeveri ia ka mundësuar ambasadorit dhe oligarkut Martin Berishaj t’i shes Kosovës më shumë energji të importuar dhe atë me çmim marramendës, skandal ky tashmë i përmasave rajonale.

Kjo krizë energjetike do të ketë pasoja të rënda për ekonominë, sigurinë dhe cilësinë e jetës sonë, ndaj është e rëndësishme që të ndërmerren hapa proaktiv për ta trajtuar atë.

Fatkeqësisht qeveria Kurti nuk ka bërë asnjë hap, energjinë e përdor vetëm për video propagandistike!”.

 

 

You may also like