AUSTRI – Bashkëpunimi me drejtësinë i Schmid pritet të shkaktojë tërmet politik

by admin
Spread the love

ROMË, 19 tetor /ATSH-ANSA/ – Thomas Schmid, ish-bashkëpunëtori besnik i ish-kancelarit, Sebastian Kurz, ka vendosur të bashkëpunojë me drejtësinë dhe prokurorinë austriake, ndërkohë që akuzon ashpër kryesisht ish-kancelarin dhe eksponentë të tjerë kryesorë të OEVP.

Ish-shefi ekzekutiv i kompanisë shtetërore ”Oebag”, i cili në të kaluarën ka qenë edhe sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Financave, prej disa muajsh është në qendër të hetimeve të prokurorisë antikorrupsion në Vjenë.

Aktualisht, Schmid po bashkëpunon me hetuesit, si një dëshmitar kyç, çka në fakt do të thotë që ai do ta shmangte aktakuzën kundër tij.

”Dëshmitë e tij, që kanë zgjatur 15 ditë, janë të destinuara të shkaktojë një tërmet politik në Austri”, shkruan media austriake.

Schmid pretendon se ai është shtyrë për të marrë përsipër të gjithë fajin.

Pas hetimeve në tetor 2021, Kurz kishte kërkuar një deklaratë me shkrim prej tij, ku të bëhej e qartë se ai nuk ishte në dijeni të të gjitha akuzave.

Disa ditë më vonë Kurz dha dorëheqjen si kancelar.

Sipas raporteve të medias, Schmid dëshmoi para hetuesve për përdorimin e fondeve publike për financimin e sondazheve të pilotuara në favor të OEVP-së dhe ngritjen politike të Kurzit.

Sipas Schmid, Kurz jo vetëm që ishte në dijeni të kësaj, por kishte qenë ai që e kishte urdhëruar këtë gjë.

Dëshmitë e Schmid preklin edhe një tjetër eksponent kryesor të Partisë Popullore, pikërisht presidentin aktual të parlamentit austriak, Wolfgang Sobotka.

Siç thotë Schmid, Sobotka ka përfituar nga të ardhurat e dy fondacioneve politike të OEVP-së. Presidenti i Nationalrat i mohon akuzat.

Schmid gjithashtu shpjegon pendimin e tij.

”Nuk kam bërë gjëra të mira, thotë ai.

Sipas tij, momenti vendimtar do të ishte kur nëna e tij do t’i thoshte se nuk e kishte edukuar në këtë mënyrë dhe se përgjegjësitë duhet të merreshin përsipër.

Ish-shefi ekzekutiv i kompanisë shtetërore ”Oebag” akuzon ndër të tjera edhe manjatin austriak, Rene Benko.

Ditët e fundit, disa zyra të grupit të tij ”Signa” janë kontrolluar nga hetuesit./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like