Atletiko nuk ndalet as nga Vallecano e Balliut, feston Granada e Uzunit

by admin
Spread the love

Atletico Madrid nuk di të ndalet. Skuadra e Diego Simeone mori fitoren e pestë radhazi dhe këtë herë kundër Rayo Vallecano të Ivan Balliut, që në shtëpi ka qenë një nga skuadrat më të forta.

Atletico e vendosi ndeshjen në fillim të pjesës së dytë, kur Koke ndëshkoi vendasit. Më pas e ruajti epërsinë, edhe pse minutat e fundit luajti me një lojtar më pak për shkak se Angel Correa u ndëshkua me karton të kuq.

Atletico me këtë fitore ngjitet për momentin në vendin e tretë në klasifikim, por Barcelona ka dy ndeshje më pak dhe mund t’i parakalojë.

NDESHJET E TJERA – Valencia vijon me serinë e rezultateve pozitive, teksa ka marrë 10 pikë në 4 ndeshjet e fundit. Sot triumfoi në transfertë kundër Elche, me një gol të shënuar nga Guedes. Osasuna ka reaguar pas humbjes me Barcelonën.

Ishte momenti i duhur, pasi përballeshin me Levanten e vendit të fundit dhe fituan me rezultatin 3-1. Avila e hapi serinë e golave, për t’i lënë radhën Budimir dhe Brasanac, kurse për miqtë shënoi Marti.

Granada ka marrë një fitore jetike kundër Alaves, me rezultatin 3-2. Uzuni ishte titullar edhe në duelin e sotëm. Skuadra e tij shënoi në fillim të pjesës së dytë me Escudero, ndërkohë që avantazhi zgjati vetëm 3 minuta.

Escalante vendosi baraspeshën, kurse Vallejo i dha epërsinë vendasve. Granada nuk u dorëzua. Puertas riktheu baraspeshën, ndërsa kolumbiani Luis Suarez realizoi golin me vlerën e tre pikëve. / oversport.tv

Foto: Atletico de Madrid, Twitter

You may also like