ATHINË – Mitsotakis përshëndet ditën historike ndërsa Greqia del nga monitorimi pas paketës së shpëtimit

by admin
Spread the love

ATHINË, 20 gusht /ATSH-DPA/- Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis përshëndeti sot fundin e “mbikëqyrjes së zgjeruar” të Komisionit Evropian lidhur me financat e vendit pas pothuajse 12 vjetësh.

Ai e quajti 20 gushtin e 2022, një ditë historike për Greqinë dhe të gjithë grekët.

Lirimi nga kuratori i BE-së ishte miratuar më herët nga ministrat e Financave të vendeve të eurozonës dhe nga komisioneri evropian për Ekonominë, Paolo Gentiloni.

Komisioneri Gentiloni vlerësoi përpjekjet e bëra nga popullsia dhe një sërë qeverish.

“Falë sakrificave dhe qëndrueshmërisë së popullit të saj dhe vendosmërisë së autoriteteve, Greqia mbyll sot një kapitull të vështirë në historinë e saj të gjatë dhe krenare”, tha ai në një deklaratë.

Sipas Gentiloni, arritjet e vendit ishin edhe më të lavdërueshme në kuadër të dy goditjeve të rënda të jashtme, pandemia Covid-19 dhe pushtimi i Ukrainës nga Rusia.

Presidenti i Eurogrupit, Paschal Donohoe e quajti përfundimin e mbikëqyrjes, një arritje të madhe për qeverinë dhe qytetarët grekë.

Masat u vendosën pasi Greqia kaloi një krizë të rëndë financiare duke filluar nga viti 2010 dhe iu desh të zbatonte masa të ashpra shtrënguese nën presionin e kreditorëve të saj. Grekët, shumë prej të cilëve i konsideruan masat e imponuara nga të huajt si të ashpra, humbën rreth 25% të të ardhurave të tyre në këtë proces.

Por që nga viti 2018, Athina është mbeshtetur financiarisht, gjithnjë e më shumë te forcat e veta.

Misotakis u zotua se gabimet e së kaluarës, të cilat në fund çuan në krizën financiare, nuk do të përsëriten edhe pa monitorimin e jashtëm.

Ai njoftoi gjithashtu një rritje pagash dhe ulje taksash, duke shtuar se ato nuk duhet të minojnë përpjekjet për të balancuar financat e vendit. //a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like