Atalanta befason Romën në “Olimpico”, Mourinho humb toruan dhe ndeshjen ndaj Interit

by admin
Spread the love

Sfida mes Romës dhe Atalantës në “Olimpico” ka përfunduar me fitoren e zikaltërve me rezultatin minimal 0-1.

Jose Mourinho u detyrua ta niste këtë ndeshje pa Dybala, i cili pësoi një dëmtim në nxemje dhe duke ndryshuar planet e portugezit. Pjesa e parë nisi me intensitet dhe me tentativa nga të dyja skuadrat për të gjetur avantazhin. Megjithatë skuadra e Gasperinit ja doli të zhbllokonte shifrat në minutën e 35-të, kur Scalvini me një gjuajtje të bukur nga jashtë zone mposhti Rui Patricion.

Roma reagoi duke u hedhur në sulm dhe vetëm pak minuta më pas Abraham e mori mirë topin dhe i gjendur vetëm përballë portierit nuk ja doli të shënonte duke e dërguar topin ngjitur me shtyllën. Pjesa e parë u mbyll me avantazhin e Atalantës, ndërkohë që e dyta nisi me po të njëjtin intensitet.

Në minutën e 57-të Jose Mourinho u bë protagonist duke u ndëshkuar me karton të kuq pas polemikave me arbitrin kryesor për një faull të shkaktuar në sulm nga Zaniolo. Verdhekuqtë pretendonin se ajo ishte një faull fare pranë zonës në favorin e tyre, ndërsa arbitri akordoi faull në favor në Atalantës. Kjo bëri që portugezi të shpërthente nga pankina, madje ishte i gatshëm të hynte edhe në fushë për tu kacafytur me arbitrin Daniele Chiffi.

Megjithatë Mourinho në tribunë duket sikur motivoi Romën, e cila tentoi disa herë të gjente barazimin. Kryeqytetasit krijuan shumë raste në pjesën e dytë, por nuk ja dolën të shënonin duke mos e shmangur dot humbjen.

Me këtë fitore Atalanta ngjitet në vendin e parë në klasifikim me 17 pikë, ndërsa Roma e Jose Mourinhos zbret në vendin e gjashtë me 13 pikë. Sfida e radhës për verdhekuqtë do të jetë ndaj Interit në “Giuseppe Meazza”. / Oversport.tv

Foto: Atalanta B.C. Twitter

You may also like