Asociacioni i Gazetarëve dënon veprimet e Policisë së Kosovës ku pengoi dhe gjobiti ekipin e Klan Kosovës gjatë detyrës

by admin
Spread the love

Asociacioni i Gazetarëve e ka dënuar veprimin e Policisë së Kosovës, ku së fundi pengoi dhe gjobiti ekipin e televizionit të Klan Kosovës dhe RTV Dukagjini, në kryerjen e detyrës.

Në një reagim të tyre, Asociacioni i Gazetarëve kërkon nga Policia e Kosovës, në vend se të pengojë, të ndihmojë gazetarët që të bëjnë punën e tyre, njofton Klankosova.tv.

”Pengohen dhe gjobiten nga Policia, ekipi i Klan Kosovës dhe RTV Dukagjinit

Policia e Kosovës fillimisht ka penguar e më pas edhe ka gjobitur një ekip të Klan Kosovës, i cili kishte shkuar në vendin e ngjarjes për të raportuar për grabitjen e armatosur në rrugën Prishtinë – Gjilan.

Gazetari Flamur Gajtani, kameramani Arben Kajtazi dhe shoferi Gazmend Salihu, u penguan dhe më pas u gjobitën kur tentuan të shkojnë nëpër një rrugë alternative për të mbërritur te vendi i ngjarjes.

Policia e Kosovës gjithashtu ka gjobitur edhe ekipin e RTV Dukagjinit, gazetarin Mehmet Krasniqi dhe kameramanin, Visar Kryeziu. Kjo rrugë u lejua të përdoret nga qytetarët e tjerë, por jo edhe nga këto ekipe televizive.

AGK-ja, e dënon pengimin në punë të këtyre ekipeve dhe e fton Policinë e Kosovës, që në vend se të pengojë, të ndihmojë gazetarët që të bëjnë punën e tyre”.

You may also like