Asnjë Komision Hetimore këtë mandat, PDK e VV fajësojnë njëra-tjetrën për mosbashkëpunim

by admin
Spread the love

Komisionet Hetimore Parlamentare janë mekanizma të Kuvendit të Kosovës, të cilat mbikëqyrin nëse është zbatuar ligji për çështjet e caktuara, për të cilat janë themeluar ato komisione, raporton Ekonomia Online.

Ndonëse këtë vit
nuk është funksional asnjë komision hetimor, aktualisht vetëm një raport është
përfunduar në tërësi, ai për ndriçimin e rastit të dëbimit të gjashtë shtetasve
turq.

Raportet tjera, siç
theksojnë deputetët, nuk kanë arritur të përfundojnë, për shkak të shpërbërjes
së Kuvendit.

Deputetja e
Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli dhe ai i PDK-së, Bekim Haxhiu, e shohin
si të arsyeshëm funksionimin e këtyre komisioneve.

Ky i fundit, thotë
për Ekonomia Online se një komision i nevojshëm është për çmimin e blerjes së
barnave në mandatin e kaluar. Ai thotë se një raport i tillë për këtë rast
është përcjellë për në Prokurori. 

“Ka shumë, në
veçanti atë që e kam ngrit në seancë, sa i përket keqpërdorimeve në blerjen e
barnave, mandatin e kaluar kemi ngrit një komision hetimor, i cili nuk ka arrit
me përfunduar punën deri në fund për shkak së shpërbërjes së Kuvendit, mirëpo
raportin e kemi dorëzuar në prokurorin e shtetit”

“…Prokuroria e Shtetit
nuk është marr me atë rast, dhe këtë mandat po besoj që e dinë gjithë që
rezultati i 14 shkurtit na e pamundëson krijimin e një komision hetimor, për
shkak se nuk i kemi 40 nënshkrime”, u shpreh Haxhiu.

E për të formuar
një Komision të tillë, nevojiten 40 nënshkrime të deputetëve. Për këtë,
deputeti i PDK-së e sheh si të nevojshëm por që thotë se pozita nuk i jep
nënshkrimet, ndonëse shton se ka raste për t’u hetuar.

“Na duhen 40
nënshkrimet e deputetëve për me e formua një komision hetimor, dhe kjo është
arsyeja pse nuk ka sepse mazhoranca nuk i jep nënshkrimet, për të formuar
komision hetimor për të hetuar qeverinë dhe në këtë rast ministrinë e
Shëndetësisë. Ka raste për me u hetuar, por nuk ka numra sepse për me formuar
një komision duhen 40 nënshkrime të deputetëve, e opozita nuk i ka dhe është më
pak, sepse rezultati i 14 shkurti dhe blerja e deputetëve që e ka bërë
kryeministri Kurti, ka ndikuar që ai të ketë shumicën dhe opozita të mos i ketë
40 numra”, u shpreh ai.

“I takon
institucioneve të hetuesisë dhe prokurorisë të merren për keqpërdorimet në
buxhetin dhe blerjen e barnave shumëfish më të shtrenjta, abuzimet ligjore që
po bëhen në MSh, pra duhet të jetë fokus i prokurorisë së shtetit”.

Deputetja e
Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, thotë se mungesa e interesimit të
partive tjera dhe shpërbërja e Kuvendit, ka ndikuar që raportet e Komisioneve
Hetimore të mbesin në gjysmë.

Ajo ka fajësuar
PDK-në që ka udhëhequr me Komisionin Hetimor për Hidrocentralet se nuk ka pasur
interesim që të ketë hetim të mirëfilltë.

“Tani në këtë
legjislaturë nuk kanë filluar ende ndonjë Komision hetimor për ndonjë çështje
caktuar, mirëpo gjatë legjislaturës së kaluar ka pasur disa komisione hetimore,
dhe për atë të cilën unë në dijeni është komisioni hetimor për hidrocentrale, e
cila është iniciuar prej Lëvizjes Vetëvendosje në atë kohë, dhe tani e drejta
për ta udhëhequr këtë komision i ka takuar PDK-së, dhe gjatë asaj periudhe nuk
ka pasur interesim nga udhëheqësi i këtij komisioni që ta shtyjë tutje gjendjen
e hidrocentraleve në vend, dhe për këtë arsye ne ende nuk kemi një raport të
punës këtij komisioni”, ka thënë Pacolli, teksa ka shtuar se arsyeja
tjetër ka qenë shkuarja në zgjedhje.

“Po tani kjo
është një çështje që mundet të përsëritet, ne mund ta krijojmë një komision
tjetër hetimor për çështjen e hidrocentraleve ose ta vazhdojmë këtë me një
udhëheqje tjetër dhe kjo mbetët në vullnetin e deputetëve, nëse ka arsye, pasi
që ministria është duke u marrë me hidrocentrale, kanë bërë një raport me
shkelje të cilat kanë ndodh në këtë çështje, por nëse prapë mbetët e
paidentifikuar, atëherë ne si deputetë mund ta iniciojmë kurdoherë për
hidrocentralet dhe për gurëthyesit”, u shpreh ajo.

Tutje, ajo ka thënë se si Vetëvendosje në Qeveri do të jetë më lehtë hetimi i çështjeve konkrete.

You may also like