Asllani dhe Empoli trembin Interin, zikaltërit përmbysin gjithçka dhe marrin kreun

by admin
Spread the love

Interi vuan, por arrin që të përmbysë Empolin 4-2 në “San Siro” dhe të mbajë gjallë shpresat për titullin kampion në Serie A. Toskanët trembin seriozisht zikaltërit pasi kalojnë në avantazh të dyfishtë pas 30 minutave lojë, por më pas kampionët e Italisë përmbysin gjithçka me një super Lautaro dhe marrin një fitore me peshë, që i ngjit përkohësisht në krye të renditjes së Serie A.

Asllani ka bërë një paraqitje shumë të mirë në Milano, madje ka shënuar golin e parë në kampionat kundër Interit, por sërish skuadra e tij ka dalë e humbur nga “San Siro”.

Java e 36-të e Serie A është hapur me një superndeshje në Oversport dhe Tibo. Interi dhe Empoli kanë dhuruar spektakël dhe shumë gola në sfidën e zhvilluar në “San Siro”.

Empoli tremb Interin pasi kalon menjëherë në avatazh me një ish si Pinamonti, që zhbllokon sfidën pas vetëm 5 minutash lojë. Toskanët shënojnë sërish me Zurkowski, por goli i tij anulohet nga VAR. Zikaltërit kanë humbur toruan dhe miqtë godasin sërish me Asllanin, që shënon golin e tij të parë në Serie A. Nuk kanë kaluar as 30 minuta lojë dhe Interi e sheh veten në disavantazh të 2 golave dhe praktikisht jashtë luftës për titullin kampion.

Kampionët e Italisë mundohen të reagojnë dhe shtojnë presionin në portën kundërshtare. Gjyqtari Manganiello akordon një penallti pas një faulli në dëm të Barellas, por ndërhyn VAR dhe anulon këtë vendim.

Zikaltërit arrijnë të ngushtojnë rezultatin, pasi Romagnoli shënon në portën e tij, ndërsa Lautaro kthen buzëqeshjen e tifozëve të pranishëm në “San Siro”, duke barazuar shifrat në fund të pjesës së parë.

Interi nis vrullshëm pjesën e dytë në kërkim të golit të avantazhit. Provojnë Perisic, Lautaro, Skriniar dhe Barella, por nuk arrijnë të çojnë dot topin në rrjetë. Zikaltërit dominojnë totalisht sfidën dhe është radha e Dumfries, që të verë në provë portierin Vicario.

Goli është në ajër dhe pak minuta më vonë është sërish Lautaro ai që dërgon topin në rrjetë dhe kalon në avantazh për herë të parë në këtë sfidë Interin. Shpërthen publiku i “San Siros”, sepse tani Interi kryeson 3-2. Vendasit luajnë më mirë dhe i afrohen golit të katërt me Correan dhe Dzekon që godet shtyllën. Mendon Sanchez që të vulosë këtë përmbysje të madhe të Interit, duke shënuar golin e 4-t të vendasve. Zikaltërit marrin tre pikë të arta dhe ngjiten përkohësisht në krye të renditjes së Serie A.

Itali-Serie A / Java e 36-të

Inter-Empoli 4-2

Romagnoli 40’ (aut), Lautaro 45’, 64’, Sanchez 90+5/ Pinamonti 5’, Asllani 28’

You may also like