Asamblistja e VV-së në Lipjan jep versionin se si u sulmuan nga kryetari i komunës (VIDEO)

by admin
Spread the love

Asamblistja e Lëvizjes Vetëvendosje, Shahadije Dragaçina, ka sqaruar në mënyrë kronologjike se si ka ndodhur sulmi ndaj aktivistëve të kësaj partie nga kryetari i Lipjani, Imri Ahmeti gjatë seancës së Kuvendit Komunal.

Dragaçina tha se dy aktivistë të VV-së janë sulmuar verbalist nga kryetari Ahemti, përderisa ky i fundit ishte duke dalë nga salla. Sipas Dragaçinës, Ahmeti pretendonte që aktivisti Blerton Vehapi, e kishte sharë atë.

“Kryetari Imri Ahemti, gjuhën denigruese dhe urrejtjen që e ka ndaj nesh dhe prania jonë që i pengon shumë, e ka shfaqur edhe sot gjatë mbajtjes së seancës së Kuvendit Komunal. Ne nuk ishim në dijeni çka po ndodhte në fillim, por siç u njoftuam, gjatë daljes së kryetarit nga salla i ka parë dy aktivistët tanë që kanë qenë prezentë, për të parë zhvillimin e seancës, që vazhdimisht i përcjellin, pasi seanca është e hapur, ai aty ndalet dhe e akuzon hapur aktivistin tonë Blerton Vehapi, që është një djalë shembull, e akuzon me pretendimin që e ka sharë, gjë që nuk qëndron, ai e ka mohuar, ne jemi të bindur që nuk e ka bërë ai. Krejt sjelljet që Ahmeti i ka bërë mundohet të na hedh neve”, ka thënë ajo për Klan Kosovën.

Sipas saj, situata do të mund të eskalonte dhe të sulmoheshin edhe fizikisht.

Ajo madje akuzoi edhe disa zyrtarë të LDK-së që kanë kërcënuar aktivistët e VV-së.

“Në vazhdimësi kemi parë që zyrtarë të kryetarit, Ukshin Shahini, ka kërcënuar që do t’i qesë me shkelma jashtë, nëse ata nuk i binden urdhrit të kryetarit. Gjuhë të dhunës ka përdorur edhe asamblisti i LDK-së, Venhar Agushi, i cili i ka kapur për krahu dhe i ka thënë ‘ju qes jashtë, ju bëj llom’”, ka shtuar ajo.

“ Kryetari fillimisht i ka thënë Blerton Vehapit, hajde po të pres jashtë masi s’po do me dalë”, ka vazhduar ajo.

Dragaçina pretendon se Fitim Shala i LDK-së, ia ka marrë telefonin nga duart në momentin kur ajo mundohej të xhironte rastin.

“Në momentin që ka ndodhur kjo situatë, e kam kapur telefonin dhe i kam xhiruar, kam pasur thirrje me endalë telefonin, derisa Fitim Shala, i LDK-së ka ardhur dhe me dhunë ma ka kapur telefonin tim personal, që e konsideroj tejet shqetësuese, kur ai s’ka të drejtë me ma kapë telefonin dhe deri në fund nuk ma ka kthy”, tha ajo.

Derisa shtoi se rastin e kanë raportuar në polici.

“Unë, Blerton Llapi, Alban Salihu, e kemi raportuar rastin në polici, ne bëjmë thirrje që organet e drejtësisë të vazhdojnë të gjejnë veprat penale dhe të iniciojnë rastin”.

Ndërkaq në anën tjetër, kryetari i komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, është kontaktuar nga Klan Kosova, por nuk është përgjigjur në telefon, për të pohuar ose mohuar akuzat e bëra nga asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje. Mirëpo, shefi i këshilltarëve komunal i Lidhjes Demokratike të Kosovës në Lipjan, Gazmend Qerkini, i tha Klanit, se Ahmeti e as asamblistët e partisë së tij, nuk kanë sulmuar e as kërcënuar askënd në mbledhjen e Kuvendit Komunal. Sipas Qerkinit, kur Ahmeti ishte duke lënë sallën, disa aktivistë të LVV-së kanë ofenduar kreun e Lipjanit, por që i njëjti nuk i është përgjigjur në të njëjtën formë, kështu duke mohuar akuzat e LVV-së.

 

You may also like