Arrestimi i Lefter Kokës, Ylli Manjani i del në mbrojtje

by admin
Spread the love

Arrestimi i ish-Ministrit Lefter Koka, ka sjellë reagime të shumta nga politika. Së fundmi ka reaguar edhe ish ministri i Drejtësisë Ylli Manjani, me anë të një postimi në rrjete sociale.

Sipas Manjanit koka “e prerë” e Lefterit i serviret publikut jo për drejtësi, por për hakmarrje politike.

“Lefter Koka është në ditën e vet më të keqe të jetës së Tij. Të jesh nën akuzë zyrtare nuk është një gjë e lehtë për tu kaluar. Njerzisht i uroj të provojë veten të pafajshëm!

E kuptoj fort mirë dëshirën kolektive për t’u ushqyer me “koka të prera”, dëshirë e cila u kultivua nga drejtësia popullore komuniste, por unë nuk bashkohem me këtë kulturë talebane. Jo ndaj Lefterit por ndaj askujt!

Koka “e prerë” e Lefterit i serviret publikut nga kokat e qelbura të politikës jo për drejtësi, por për hakmarrje politike. Me kokën “e prerë” duan të pastrojnë qelbjen e vet.

Por është e kotë.

Edhe “peshku politik” nga koka qelbet, si çdo peshk tjetër…

Gara për të bërë deklarata politike me ngjarje hetimore e arrestime tregon edhe njëherë se çfarë politike të poshtër kemi.

Një politikë që nxit hedhjen e gurëve ndaj “viktimës së radhës” nuk ka asnjë lidhje me politikën e ndarjes së pushteteve apo respektimit të lirive dhe të drejtave të njeriut. Çdokush ka të drejtë të mbrohet në një gjykim të rregullt, por edhe nga gjykimi popullor. Ky i fundit shprehet në votime jo në arrestime!!!

Ndërkohë, historia e plehrave nuk sqarohet me Kokën “e prerë” të Lefterit… Por kjo çështje tashmë i përket drejtësisë. I asaj drejtësie që është.

Pozita e opozita, kryetarë e ishkryetarë, deputetë apo qytetarë bëjnë mirë të hedhin gurët në tokë e të presin verdiktin e gjykatave.

Drejtësia popullore dhe gjykimi politik janë DIKTATURË!”, ka shkruar Manjani.

You may also like