Arnautovic i prish festën Manajt, Bologna përmbys Spezian në Serie A

by admin
Spread the love

Bologna është rikthyer te fitorja pas pesë ndeshjes dhe heroin e bëri sulmuesi Marko Arnautovic, autor i dy golave kundër Spezias. Ky duel përfundoi 2-1 dhe protagonist ishte edhe Rey Manaj, i cili zhbllokoi takimin pa mundur të festojë dot në fund.

Spezia e dha sinjalin e parë, por Skorupski i mohoi golin Verde, i cili kërkoi trekëndëshin e portës me një goditje në hyrje të zonës në minutën e katërt të ndeshjes.

Vendasit u kundërpërgjigjën menjëherë dhe trau i portës ndali sulmuesin Arnautovic, i cili goditi fort nga distanca. Spezia u dridh në atë moment, por nuk vonoi shumë të festonte.

Reca dha një krosim perfekt në zonë dhe Rey Manaj, me një goditje me kokë shënoi golin e tretë sezonal në Serie A. Lushnjari u bë protagonist më vonë me një karton të verdhë, që e pezullon për ndeshjen e radhës.

Bologna në shtëpi nuk mund të pajtohej me rezultatin dhe u hodh në sulm. Pesë minuta para përfundimit të pjesës së parë erdhi edhe goli i baraspeshës, teksa Arnautovic pas një pasimi perfekt e çoi topin në rrjetë.

1-1, rezultat që përkon me të 45 minutave të para. Në të dytën e pati sërish iniciativën Bologna, që në minutën e 61-të u shfaq rrezikshëm dhe goditi jashtë, duke bërë Spezian të dridhej.

Soriano ishte i radhës nga vendasit që tentoi rrugën e rrjetës, por gjuajtja e tij ishte e lehtë për portierin e Spezia. Goli i Bologna erdhi në minutën e 84-t, teksa Arnautovic me kokë e çoi topin në rrjetë dhe i dha fitoren skuadrës së Mihajlovic. / oversport.tv

SERIE A – JAVA 26
Bologna-Spezia 2-1
Shënues: Arnautovic 40′, 84’/ Manaj 11′

Foto: Spezia Calcio, Twitter 

You may also like