Ankesa për pritje të gjata në klinikën e ORL-së në QKUK

by admin
Spread the love

Në radhë të gjata të pritjes dhe mes zërash të fëmijëve që qanin dhe prisnin me orë të tëra për të kryer vizitën në Klinikën e Otorinolaringologjisë (ORL) në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, pacientët janë shprehur të pakënaqur me sjelljen e stafit në këtë klinikë.

Një nga pacientët, e cila kishte ardhur nga Vitia, tha se kanë pritur me orë të tëra, së bashku me fëmijën e saj, ani pse kishte pasur terminin e caktuar.

“Kemi ardhur këtu, kemi pritur një kohë. Fëmija qante shumë dhe na thanë ta shtimë te mjeku, ndërsa mjeku tha jo, le të presë në rend. Këtu ishin diku afër 50 pacientë që prisnin. Është e pamundur me prit. Nuk e di ku është qëllimi këtu?! A po kanë qëllim që duke na maltretuar dhe tmerruar kaq shumë këtu (ORL) që pastaj ne të shkojmë në privat te ta, apo s’di ku është qëllimi?!”, thotë një paciente për Radio Kosovën.

Madje një paciente tjetër në kushte anonimiteti, jashtë mikrofonit ka thënë për Radio Kosovën që doktorët në këtë klinikë mungojnë shpeshherë duke ua humbur qëllimshëm pacientëve terminin.

RK ka provuar ta kontaktojë me telefon drejtorin e Klinikës së ORL, Arsim Behramaj, por ai nuk ka pranuar të prononcohet për këtë çështje, ndërsa ka biseduar me Nora Kursani-Demjaha zëvendësuese e kryeinspektorit shëndetësor, lidhur me këtë çështje.

Ajo ka thënë se faji është te Komisioni Mbikëqyrës për mbarëvajtjen e orarit të punës.

“Komisioni Disiplinor duhet të marrë masa ndaj mjekut që nuk e ka respektuar orarin e punës. E kur drejtorët e klinikave bëjnë shkelje, atëherë ne drejtpërdrejt rastin e drejtojmë te Komisioni i mbikëqyrjes së mbarëvajtjes në punë. Mirëpo, problemi kryesor është sepse vetë komisioni nuk merr masa ndaj drejtorëve e mandej dhe inspektoratit po i hup vlera dhe motivi sepse ne po e identifikojmë problemin e masat nuk po merren”, thotë Kursani-Demjaha

Edhe Klinika e ORL-ës është prekur kohëve të fundit me mungesë të stafit, kur disa mjekë kishin lëshuar punën në këtë klinikë. Muaj më parë Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës përmes një njoftimi kishte thënë se në Klinikën e ORL-ës janë të angazhuar 13 mjekë specialistë, e 2 të tjerë janë në proces të rekrutimit.

Rrini të informuar mbi zhvillimet kryesore duke u bërë pjesë e komunitetit tonë në Viber

BONUS: Merreni aplikacionin tonë në Android dhe iOS

You may also like