ANKARA – Erdogan: Turqia vazhdon bisedimet me Rusinë dhe Ukrainën për t’i dhënë fund luftës

by admin
Spread the love

ANKARA, 14 dhjetor /ATSH-AA/ – Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka deklaruar se vendi i tij vazhdon bisedimet me Rusinë dhe Ukrainën për t’i dhënë fund luftës në vazhdim.

“Ne dëshmuam, së bashku me marrëveshjen e drithërave dhe shkëmbimin e të burgosurve, se mund të hapet rruga drejt paqes nëse i jepet një mundësi diplomacisë”, tha Erdoğan në një samit trepalësh midis Turqisë, Azerbajxhanit dhe Turkmenistanit, duke përmendur marrëveshjet e ndërmjetësuara nga Turqia midis dy palëve.

“Ne vazhdojmë bisedimet tona me Putin-in dhe Zelensky-n në këtë drejtim. Shpresojmë se fillimisht do të arrijmë një armëpushim dhe më pas paqe të qëndrueshme në rajonin tonë”, shtoi Erdogan.

Presidenti Erdogan, presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev dhe ai i Turkmenistanit, Serdar Berdimuhamedov, u takuan në qytetin perëndimor turkmen Avaza për të adresuar hapat për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit midis tre vendeve në fusha të ndryshme, veçanërisht në tregti, energji dhe transport.

Presidenti turk gjithashtu tha se treshja duhet të fillojë punën për transportimin e gazit natyror turkmen në tregjet perëndimore.

“Ne jemi të gatshëm të punojmë për transferimin e energjisë elektrike nga Turkmenistani dhe Azerbajxhani në vendin tonë”, tha Erdogan.

Erdogan theksoi se anëtarësimi i plotë i Turkmenistanit në Organizatën e Shteteve Turke do të forconte grupin. Që nga viti 2021, Turkmenistani ka statusin e vëzhguesit në grup.   /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like