Allegri: Nuk kemi fituar asgjë, duhet të synojmë finalen e Championsit

by admin
Spread the love

Juventus është gati për tu përballur me Villarrealin në ndeshjen e kthimit të 1/8-ve të finales së Champions League. Ndeshja e vajtjes në Spanjë përfundoi në barazim 1-1, por pas rregullores së re, bardhezinjtë duhet të fitojnë në Torino për të vazhduar ëndrrën europiane.

“Do të jetë një ndeshje teke, një finale. Nuk e di nëse kemi cilësi për të shkuar deri në finale, por duhet të kemi ambicien për të arritur këtë objektiv. Vlahovic do të luajë, ndërsa Dybala, Bernardeschi dhe Chiellini rikthehen në dispozicion. Do të jenë të rëndësishëm, sidomos nëse ndeshja shkon më shumë se 90 minuta”, ka thënë Max Allegri në konferencën për shtyp.

Objektivi-“Skuadra është mirë, në formë në një moment vendimtar të sezonit. Kërkojmë gjithmonë objektivin maksimal. Nëse kundërshtari është më i zoti se ne, atëherë kualifikohen ata. Ne duhet të japim gjithmonë maksimumin. Kjo është ndeshja më e rëndësishme e Championsit, jo e sezonit tonë”.

Villarreal– “Është një skuadër eksperte, fizike me cilësi të mira teknike dhe me një trajner shumë të zotë, që ka fituar shumë në Europë. Në ndeshjen e vajtjes u duk sikur nuk ishin në ndeshje, por më pas bëmë një gabim dhe u rifutën në lojë. Duhet të bëjmë një ndeshje të madhe, siç luhet për një vend në çerekfinalet e Champions”.

Mungesat-“ Bonucci do të mungojë, edhe Alex Sandro ka një shqetësim dhe nuk do ta rrezikoj, ndërsa shpresoj që Zakaria të kthehet në dispozicion të enjten. ”

Sezoni i Juves- “U riktheva pas 2 vitesh dhe shumë lojtarë nuk i njihja. Nisëm një rrugëtim, duke bërë gabime, edhe unë. Tani kemi gjetur ekuilibrin por nuk mjafton, në mars luhet sezoni dhe duhet të jemi gati.

Kemi patur mungesa dhe tre muajt e parë ishin të vështirë. Jemi bërë një grup solid, falë djemve por nuk kemi fituar akoma asgjë. Ti marrim gjërat me radhë, duhet ekuilibër dhe të qëndrojmë me këmbë në tokë. Duhet të bëjmë një ndeshje të madhe që të shkojmë në çerekfinale”. / Oversport.tv

You may also like