Allegri: Kemi vetëm një rezultat në dispozicion, por nuk jemi padronë të fatit tonë

by admin
Spread the love

Për të mbajtur gjallë shpresat në Champions League, Juventusi duhet të mposhtë Benfican në sfidën e nesërme. “Zonja e Vjetër” ndodhet në vend të parafundit në grupin H dhe në rast se nuk fiton, skualifikohet menjëherë nga faza e grupeve. Në prag të kësaj sfide ka dhënë konferencën për shtyp edhe trajneri Max Allegri.

“Kemi vetëm një rezultat në dispozicion, por megjithatë ne nuk jemi padronë të fatit tonë. Benfica është një nga katër skuadrat në Europë që nuk kanë humbur akoma së bashku me Napolin, PSG dhe Real Madrid. Duhet të bëjmë një ndeshje të madhe.

Ata luajnë përballë tifozëve të tyre dhe kanë një motiv më shumë, por do të jetë një sfidë e veçantë. Ne nuk duhet të kemi frikë, por të luajmë me të njëjtin vetëbesim, madje edhe më mirë se në dy ndeshjet e fundit. E dimë që është një ndeshje e rëndësishme dhe që do të na tregojë nëse duhet të shpresojmë për kualifikim ose jo.

Gjithashtu mund të na garantojë një vend në Europa League. Ne jemi duke bërë mirë, nesër do të jetë një ndeshje e bukur për t’u luajtur dhe do të provojmë ta bëjmë sa më mirë.”

NDESHJA- “Në ndeshjen e parë nuk e nisëm sfidën mirë. Nesër duhet të fitojmë për të mbajtur hapur derën për të kaluar turnin. Nëse do të fitonim me dy gola diferencë do të ishte favorizuese, por ata megjithatë janë një skuadër e madhe.”

SKEMA- “Me lojtarët që kam në dispozicion dhe që janë duke bërë mirë, nesër do të provojmë një modul tjetër loje. Duhet të bëjmë një ndeshje të madhe në aspektin difensiv. Duhet të luajmë si në ndeshjen e parë, por duke eliminuar gabimet që bëmë atëherë.”

ELIMINIMI- “Do të isha shumë i zhgënjyer, por nuk e mendoj këtë gjë. Nëse Benfica humbet nesër dhe fiton sfidën e fundit ne do të shkojmë në Europa League. Fillimisht të hedhim njëherë këtë hap. Skuadra është mirë, fizikisht dhe mendërisht. E rëndësishme është të bëjmë një ndeshje të madhe.” /oversport.tv

You may also like