Akuzat për të cilat Basha nuk ka faj – Lajme

by admin
Spread the love

Mania për ta goditur Lulzim Bashën për çdo gjë, shpesh herë pa princip dhe në një mosrespekt të frikshëm ndaj kujtesës kolektive, po i shpie kundërshtarët e tij në një rrugë pa krye. Edhe mbështetësit e Sali Berishës edhe ata të Ilir Metës po e akuzojnë atë për dëmin e madh që i shkaktoi opozitarizmit, fillimisht me djegjen e mandateve dhe më pas me bojkotin e zgjedhjeve lokale. 

Sipas kësaj teorie, duke mos qenë në parlament, opozita u penalizua pasi nuk pengoi dot ndryshimet kushtetuese që i bënë asaj të pamundur daljen në zgjedhje me një koalicion të vetëm. Po ashtu-vazhdojnë ata- mospasja e këshilltarëve apo të punësuarve, në asnjë bashki të vendit, i zhveshi PD-në dhe LSI-në nga një armatë e tërë njerëzish me ndikim, pushtet financiar dhe peshë elektorale.

Sado të mëdha të jenë mëkatet e Lulzim Bashës për mënyrën e squllët se si ka drejtuar opozitën, se si ka dalë me gisht në gojë pas marrëveshjeve me Ramën, se si është zgërlaqur nga ndërkombëtarët, të paktën në këtë pikë, ai nuk ka faj. 

Sot, kur gjithçka ka përfunduar, nuk është aspak alibi të pohosh se edhe faktet konkrete edhe filozofia e të bërit opozitë kundrejt regjimit (se paku kjo është e vetmja pikë ku të gjitha fraksionet opozitare bashkohen për përcaktimin e qeverisjes së Ramës) i japin të drejtë kreut “në detyrë” të demokratëve.

Le të nisim me faktet. Sali Berisha ishte i pari që e kërkoi zyrtarisht dhe me deklaratë publike djegjen e mandateve, pas një seance turpëruese në parlament ku atij nuk i dhanë fjalën. Në arkivat televizive gjendet jo një, por disa deklarata të tij, se prania në kuvend është e kotë, pasi beteja me Edi Ramën nuk fitohet dot me zgjedhje. Pra duke pasur parasysh ndikimin që ai ka tek PD-ja dhe influencën që ushtronte tek Basha, lideri historik nuk mund të shpëlajë duart nga vendimarrja për rrugën radikale. Pak a shumë i ngjashëm është edhe pozicioni i Ilir Metës. Ndonëse ndyshe nga Berisha, ai nuk është shprehur asnjëherë publikisht, madje pas faktit të kryer, në detyrën e tij si kryetar shteti, ka folur kundër këtyre akteve, çdo kush e ka të vështirë të besojë se ai nuk kishte aq influencë në LSI, sa të pengonte partinë që themeloi vetë e që më pas e la trashëgimi tek bashkëshortja, për të dejgur mandatet dhe bojkotuar zgjedhjet lokale.   

Në pranverën e vitit 2019 edhe berishistët edhe metistët ishin të bindur se rruga radikale ishte më e mira. Po të kthejmë filmin pas, ata dispononin tashmë përgjimet audio që më pas ia dhanë gjermanes Bild, për vjedhjen e zgjedhjeve në Durrës dhe Dibër. Ata tashmë qenë ndërgjegjësuar se loja demokratike kishte marrë fund pasi pushteti i grabiste zgjedhjet me para dhe me banditë. Po ti shtosh këtyre provat e qarta se drejtësia e re kishte filluar të kapej, se si e kishte emëruar rilindja prokuroren e përgjithshme Arta Marku, se si ishte mbyllur marëdhënia e Ramës me oligarkët, të cilët merrnin gara pa tender për të financuar fushatat elektorale, po të shikoje se si po pastroheshin paratë e krimit për të rekrutuar të gjithë narkotrafikantët në shërbim të pushtetit, beteja e barabartë dukej një iluzion.

Opozita nuk e mundte dot, ajo duhet ta përmbyste kryerilindasin dhe kjo përmblidhej më mirë se këkund në sloganin e saj gjatë kohës së protestave: “Në zgjedhje të reja, pa Ramën kryeministër”.   

Me këtë parrullë ranë dakord të gjithë. Mëkati i Bashës nuk ishte dhe as vazhdon të jetë, fakti se vendosi të zgjedhë rrugën e forcës. 

Gafa e tij kolosale, krimi i tij i madh është se ai nuk pati as kapacitetin dhe as burrërrinë, as trurin dhe as zemrën, të qëndronte në lartësinë e misionit që ndërmori.

Opozita nuk dështoi se dogji mandatet apo se bojkotoi zgjedhjet lokale. Ajo humbi realisht në disa pika të tjera. Ajo u mposht kur ndryshe nga sa u premtoi të vetëve lejoi të zhvillohen zgjedhjet moniste, kur dëshmoi se është e shantazhueshme nga një gjysëm serb si Palmer, kur i dorëzoi “paqësisht” bashkitë që drejtonte, kur pati iluzionin se atë që nuk e fitonte dot me molotovë dhe hunj do ia dhuronin në tryezë Gjiknuri dhe Rudina Hajdari.

Po! Kjo piruetë idiote është tradhëtia e madhe e Lulzim Bashës. Ky dështim është i mjaftë, jo vetëm që ai të shporrej nga kryesimi i opozitës, por që ti lante njëherë e mirë duart nga politika. Një politikani që dështon edhe me mjetet e dhunës dhe me ato të paqes, duke dëshmuar se asnjërën nuk e bën dot tamam, nuk ka si ti jepet një shanc i ri. 

Ky do të duhej të qe procesi i duhur publik për kryetarin “në detyrë” të PD-së.

Por, ndryshe nga kjo analizë e komplikuar, berishistët dhe metistët kanë rënë në batakun e akuzave të thjeshtëzuara që prekin më lehtë receptorët e mendjeve bazike të militantëve. Sipas tyre Basha e dëmtoi opozitën thjeshtë se dogji mandatet dhe bojkotoi lokalet. Madje disa, më konspirativë, e shpien paranojën në skaj, duke e parë këtë si një plan të parapërgatitur për të përjetëzuar pushtetin e Ramës.   

Dhe këtu e keqja nuk është se po rëndohet Lulzim Basha. Për mënyrën si ka vepruar ai duket se i ka mbyllur llogarinë edhe me historinë dhe me militantët. 

Por problemi qëndron tek fatet e opozitës. 

Le të imagjinojmë për një çast se grupimet që artikulojnë këto kritika marrin në dorë nesër fatet e saj. Le të mendojmë se Basha kthehet në Hollandë dhe betejës me Ramën i prin sërisht një koalicion i Berishës me Metën, që e rrëzuan atë me akuzat se dëmtoi opozitën duke përqafuar rrugën radikale. 

Edhe nëse ndodh, kjo fitore beteje, me mjete aspak të vërteta, rrezikon tu kthehet shpejt në boomerang. Pasi kushdo që të gjendet në krye të opozitës do të jetë i dënuar të përballet me një dilemë: A mposhtet dot regjimi i Ramës me mjete demokratike? A mundet ai përmes zgjedhjeve? A ka më kuptim loja parlamentare, marëveshjet, shpresa se drejtësia e re do të dënojë krimet, iluzioni se mediat “e pavaruara” do investigojë vjedhjet, apo besimi se diplomatët do të arbitrojnë si të pa kapur?  

Të shpresosh se do ti zgjidhësh të gjitha këto së bashku përmes kutisë së votimit, do të thotë të jesh naiv. Prandaj Basha nuk duhet akuzuar se tentoi të dalë jashtë sistemit, por se pati padurimin për tu rifutur, duke e ditur se do ta masakronin brenda tij.

©Lajme

You may also like