Aktori Johnny Depp merr medalje për respektin që ia bën Serbisë

by admin
Spread the love

Aktori Johnny Depp, pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Beograd, në muajin tetor 2021

Ylli i Hollywoodit, aktori amerikan, Johnny Depp, do të dekorohet me Medaljen e Artë të Meritave të Republikës së Serbisë, për kontribut të veçantë ndaj Serbisë në përpjekjet e saj për përhapjen dhe avancimin e komunitetit artistik lokal. Lajmin për këtë e ka dhënë agjencia për komunikime “New Media Team”, raportojnë mediat serbe. Medalja e Artë do t’i dorëzohet në atë që serbët e festojnë si Sretenje (festë ortodokse) më 15 shkurt, me rastin e Ditës së Shtetësisë të Serbisë.

Nderimi i aktorit të njohur ishte paralajmëruar qysh në tetor të vitit të kaluar në Beograd nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Ai në takim me aktorin e shquar kishte thënë se në shenjë falënderimi për respektin që ia bën Serbisë, si dhe për shumë projekte që në Serbi punësojnë një numër të konsiderueshëm të rinjsh, do ta nderojë Deppin në një ceremoni solemne në Ditën e Shtetësisë së Serbisë.

Depp në Beograd, në tetorin e vitit të kaluar, promovoi serialin e animacionit “Puffins Impossible” i prodhuar në Serbi.

“Pjesëmarrja aktive në promovimin e serialit ‘Puffins Impossible’, në të cilin Johnny Depp ia huazon zërin dhe personazhin heroit kryesor, si dhe lëvdatat e tij për kreativitetin e veçantë e profesionalizimin e të rinjve në Serbi, kanë ndihmuar që skena lokale artistike të pozicionohet në hartën botërore të industrisë filmike”, thuhet në njoftim.

“Puffins Impossible” së shpejti do të jetë i qasshëm në platformat më të mëdha botërore në mesin e të cilave janë edhe “Apple TV”, “Amazon Prime Video”, “Chilli TV”, “TaTaTu”, e në shumë të tjera.


You may also like