Abraham: Mourinho është më i miri, një ditë do të kthehem në Angli

by admin
Spread the love

Raporti me Mourinhon, zgjedhja për t’u bashkuar me projektin e Romës dhe një e ardhme e mundshme sërish në Angli. Këto kanë qenë temat kryesore që Tammy Abraham foli në një intervistë për talksports.com, ku e cilësoi Mourinhon si trajnerin më të mirë në botë.

“Si një djalë i ri anglez doja të qëndroja në Angli. Roma, Atalanta dhe shumë skuadra të tjera më kanë kërkuar. Po bindja veten se doja të qëndroja në Premier League dhe se kisha diçka për të provuar. Por babai im, prindërit e mi dhe agjenti më ulën dhe më thanë: ke shënuar gola te Chelsea, Swansea dhe Bristol City, shko dhe jetoje jetën jashtë.

Teksa më thanë këto gjëra, kuptova se pak lojtarë mund të thonë se kanë qenë të suksesshëm në Itali, në Serie A dhe në një ekip si Roma. Nuk u tërhoqa kurrë, kur erdhi kjo sfidë mendova se, duke qenë ende i ri, ishte koha më e mirë për ta përballuar”.

MOURINHO- “Ka një arsye pse e quaj trajnerin më të mirë në botë. Ai di si të drejtojë, di se si të futet brenda zemrës së një lojtari dhe di se si t’ë të bëjë të ndihesh si një lojtar shumë i veçantë. Ai vazhdon të më shtyjë të bëj më të mirën. Kur ndjej se kam bërë mjaftueshëm, ai më thotë se duhet të bëj më shumë.

E kam përjetuar kur isha te Chelsea si fëmijë, shkova të stërvitesha me ekipin e parë dhe ai ishte gjithmonë i ashpër me mua, më shtynte gjithmonë të përmirësohesha, ndjeva sikur kur bëja diçka siç duhet, duhej ta bëja më mirë.

Kjo është pikërisht ajo që më duhej, veçanërisht pas sezonit të vështirë që pata te Chelsea ku nuk po luaja. Të vish këtu dhe të kesh një menaxher si Mourinho që të stërvit dhe beson te ty, thjesht të jep më shumë besim.

E ARDHMJA- “Kur i shoh që më kërkojnë klube të tjera, më bën të ndihem mirë, më bën të ndihem sikur po bëj diçka siç duhet. Ndihem mirë të shoh emrin tim në të gjitha gazetat.

Por më duhet të përqendrohem te Roma, askush nuk e di se çfarë rezervon e ardhmja. Sigurisht që jam rritur në Angli, jam një djalë londinez, kështu që ndoshta një ditë do të kthehem në Premier League. Por për momentin jam i fokusuar vetëm te Roma, dua të bëj më të mirën dhe shpresoj të fitoj me këta djem një trofe që i mungon prej shumë vitesh”. /oversport.tv

Foto: AS Roma, Facebook

You may also like