A rrëzohet qeveria nga plazhi? VMRO paralajmëroi verë protestash, shkoi në pushim bashkë me pushtetin

by admin
Spread the love

“Miq të dashur! Deri në tani kemi pasur verë pune, por kjo verë do të jetë verë protestash, në fokus të së cilës do të jetë Maqedonia në vend të parë!”- Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-Së.

Verë të mbushur me protesta, paralajmëronte kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, por me sa duket verë e konsideron vetëm muajin korrik, për shkak se tani në gusht protesta nuk ka.

Pasi propozimi francez kaloi në Kuvend, gjithçka iu kthye normalitetit, e me sa duket doli edhe parashikimi i këtij protestuesi.

“Protesta nuk do të ketë, janë anuluar, të DPMNE-së kanë shkuar me pushime, Mickoski i pari u bë gati dhe ka shkuar për të pushuar”.

Tash VMRO-DPMNE gushtin po e kalon me konferenca për media duke akuzuar pushtetin për paaftësi dhe keqqeverisje.

Me shumë gjasa rikthimi i opozitës do të bëhet në fund të gushtit, kur të rikthehet Kuvendi, ndërsa në fund të korrikut Mickoski tha se është i kënaqur me bllokadën aktive që e bënë në Kuvend.

“Me atë bllokadë aktive ne parandaluam shumë ligje të cilat vetë opinioni i shpalli si të dëmshme! Do të vazhdojmë të sillemi në këtë mënyrë, madje edhe do t’i ashpërsojmë hapat tanë nga shtatori e tutje…”– tha Mickoski.

I pyetur se ku janë protestat e paralajmëruara, zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Dimçe Arsovski, nuk na dha përgjigje të drejtpërdrejt, por vetëm na rikujtoi se “këtë verë u bënë protesta më intensive dhe më masive kundër propozimit francez dhe këto protesta seriozisht e tundën pushtetin që mbahet në këmbë të qelqta”.

Përndryshe, VMRO-DPMNE më herët vazhdimisht kërkonte zgjedhje të parakohshme, por tash sikur kjo kërkesë ka kaluar në rend të dytë, sepse fokusi më i madh i partisë opozitare është kërkesa për refundim rreth propozimit francez, kërkesë të cilën pushteti as nuk është duke e përfillur.

You may also like